WORCESTER – Në hyrje të një kishe ortodokse, të merren sytë nga ikonat ndriçuese që shpërfaqin Krishtin, Shën Marinë, engjëjt, shenjtorët dhe ngjarje të tilla, si lindja dhe ringjallja, duke e krijuar pamjen e një “teologjie me ngjyra”. “Është një dritare drejt parajsës”, thotë Timothy Cremeens, përgjegjës për kishën shqiptare që mban emrin “Shën Mëria” e që gjendet në rrugën “Salisbury”, 535, në Worcester të Amerikës. 

“Është një gjë mahnitëse”, thotë anëtari i vjetër i kishës, George Laska, teksa flet për 169 ikonat në mur. Ato janë të vizatuara në formë kubesh. Të tilla vizatime ka edhe në kisha të tjera, sikur ajo e Shën Pjetrit në rrugën “Paul Chapel”.

Diçka tjetër që të lë gojëhapur në kishën shqiptare “Shën Mëria” është se të gjitha këto janë vepër e një personi të vetëm, ikonigrafistit shqiptar Dhimitri Cika, me origjinë nga Shqipëria, por që jeton në Worcester, transmeton sot Koha Ditore tekstin e publikuar në Telegram. 

“Ne jemi një komunitet shumë unik në këtë vend”, thotë Cremeens. 

“Po mundohemi që të mendojmë nëse mund të gjendet ndonjë mjeshtër tjetër i ikonave, por nuk kemi mundur ta gjenim”, ka shtuar ai. 

Të qenit kaq i privilegjuar në kishën “Shën Maria”, për vetë Cikën është diçka e mrekullueshme. “Sa herë që e shoh kishën nuk më besohet se i kam bërë unë këto”, thotë ai  . Cika tenton të shprehë ndjenjat e tij në anglisht, por nuk mundet. Ai këtë e bën në gjuhën amtare, shqipen. Megjithatë, dikush ndihmon të përkthejë. Cika tregon se si fillimisht ka qenë i frikësuar kur ka nisur punën në kishë, por kur profesori i tij në Shqipëri kishte ardhur për ta parë punën që kishte bërë, siç shpjegon Cika dhe anëtarët e kishës, ai ishte mahnitur. Cika e ka mësuar zanatin në Shqipëri, por, siç thotë, të jesh mjeshtër i ikonave fetare duhet t’i ndjesh shpirtërisht. I pyetur nëse ai ndonjëherë ndihet i udhëzuar nga ndonjë forcë shpirtërore kur bën ikonat në kishë, Cika përgjigjet me “po”.