Policia Rrugore e Durrësit godet dy raste të tjera të tentativës për mitdhënie. Procedohen penalisht dy drejtues automjetesh të cilët tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, dhe në rrugën “Martin Camaj”, kanë ndaluar automjetet me drejtues shtetasit Xh. S., 29 vjeç, dhe J. K., pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë me masa administrative të papaguara, përkatësisht 10 e 12 masa administrative.
Këta shtetas u kanë ofruar punonjësve të Policisë, nga një shumë parash për të shmangur bllokimin e automjeteve.
Në vijim të veprimeve shtetasit Xh. S, dhe J. K, u proceduan penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në 24 orët e fundit janë goditur 4 raste të tentativës për mitëdhënie.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të shërbime të Policisë.