Një 23-vjeçar me iniciale E.D. ka mbetur i vrarë gjatë natës në qytetin e Bulqizës. I riu kishte dalë për gjah dhe deri tani mendohet se ka qenë shoku i tij që e ka qëlluar me armë.

23-vjeçari mbeti fillimisht i plagosur, por kur ka mbërritur në spital ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Policia ka shoqëruar në komisariat shokun e viktimës, i cili po pyetet për rrethanat e ngjarjes.

Deri tani ngjarja mendohet të ketë qenë aksidentale, por policia lokale ka ngritur një grup hetimor për të sqaruar rrethanat e saj.

Pista paraprake që po heton policia është vrasja aksidentale nga shoku i tij, por ende nuk ka një version zyrtar.

Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, shtetasin K. K., 27 vjeç, për veprime të mëtejshme hetimore.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi polocia.