Policia greke ka zbuluar një plantacion kanabisi me të paktën 6000 bimë. Ky është plantacioni i dytë i zbuluar brenda dy javësh.

Sipas mediave greke, në prangat e policisë ranë kultivuesi kryesor dhe dy shqiptarë të cilët kujdeseshin për bimët.

Operacioni u zhvillua mëngjesin e së mërkurës në një sipërfaqe prej 20 hektarësh ku kultivohej misër në zonën rurale “Pavlos” në Orchomenos.

Pronar i plantacionit me misër ishte një grek nga Fthiotida. Por mes misrit ai kishte zgjedhur të kultivonte edhe hashash.

Shitja e kanabisit do të sillte mbi 12 milionë euro fitim.

Në zonën e plantacionit u gjetën dy shqiptarët që kujdeseshin për kanabisin, ndërsa pak më vonë u arrestua edhe pronari i pronës.

Hetimet paraprake për përfshirjen e personave të tjerë po vazhdojnë.