Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia në Delvinë, pasi në banesë i është gjetur se mbante të fshehur armë zjarri dhe municion.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale L.T., banues në Delvinë.
Gjatë kontrollit nga policia në banesën e tij, u gjet dhe sekuestru 1 armë zjarri automatike tip kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 1 krehër kallashnikovi, 2 krehra pistolete dhe një sasi fishekësh.
Njoftimi i policisë:
Delvinë/Vijon goditja e armëmbajtjes pa leje, finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Delvinë, operacioni policor i koduar “Sunrise”.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, krehra dhe municion.
Në pranga poseduesi, i cili i mbante të fshehura në banesë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, të cilat bënin me dije se një shtetas posedonte armë në banesën e tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë organizuan dhe finalizuan me sukses, gjatë paradites së sotme, operacionin policor të koduar “Sunrise”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L. T., 47 vjeç, banues në Delvinë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e shtetasit L. T., ku gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri automatike tip kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 1 krehër kallashnikovi, 2 krehra pistolete dhe një sasi fishekësh.
Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.