Një nënë e re me tre fëmijë në Durrës, denoncoi në emisionin “Stop” në Tv Klan se djali i saj i madh, 19 vjeç dhe me aftësi ndryshe, është dhunuar nga 5 minorenë, të cilët e kanë filmuar dhe publikuar videon në Tik Tok. Sipas zonjës, dhuna është përsëritur edhe herë të tjera. Nëna cilëson edhe lëndimet fizike e psikologjike që ka pësuar i biri nga goditjet e grupit të bullizuesve.
Nëna: Kjo histori është e përsëritur diku te 2 herë, 3 herë. Unë kam marrë masa, u kam thënë fëmijëve që u kam folur. Gjithmonë u kam thënë që boll pasi fëmija ime vuan nga një… si të ta shpjegoj unë ty, me aftësi të kufizuara dhe gjithmonë kanë arritur ta bullizojnë fëmijën tim në lagje, edhe duke i folur, e kanë rrahur shumë herë. Ndërsa këtë herë kishte ndodhur pasdite, e kishin gjetur vetëm në lagje, me një shokun e vet më të vogël, e kishin gjetur vetëm në lagje dhe i kishin thënë “avitu po ta mban”. E kishin futur në një rrugicë shumë të ngushtë pasi nuk i kishin lënë hapësirë për të lëvizur.
Kishte gjoksin të nxirë, në shpatull pasi është goditur me grushta dhe me shkelma dhe pjesën e syrit këtu. Duke ndenjur të shtunën, nuk tregoi gjë, nuk më doli atë natë, ditën e premte nuk më ka dalë fare nga dhoma fëmija. I kam dhënë për të ngrënë, nuk ka arritur as aty për të ngrënë, pastaj të shtunën në mëngjes ma ka sjellë një shoku i çunit videon. Më ka thënë, “zonjë, shiko mami i Kristit se çfarë kam gjetur në Tik Tok, është bërë virale kjo, është hapur”. Normale që në atë moment s’e kam ndier veten mirë.“
Në rastin e fundit, ajo u drejtua në policinë e Durrësit por ishte ditë e shtunë ndaj denoncimi nuk iu mor as të shtunën e as të dielën, por vetëm ditën e hënë. Policia nga ana e saj, nuk duket ta ketë marrë seriozisht ngjarjen e rëndë të dhunës ndaj një personi me aftësi ndryshe.
Nëna: I thashë dëgjo nuk është hera e parë dhe e dytë, e kemi anashkaluar këtë pjesë. Ata herës tjetër mund edhe të ma vrasin fëmijën tim. Ose më ndihmoni ju ose do gjej ndonjë zgjidhje tjetër.
E pyetur për rastin në policinë e Durrësit, kjo e fundit thotë se ka identifikuar vetëm një nga minorenët dhunues e do të çojë në prokurori një dosje për të cilën nuk janë kryer procedurat paraprake bazë.
OPGJ, Durrës: Atëherë më dëgjo me kujdes! Momentalisht kemi identifikuar një person, i kam thënë që sot do t’i marr deklarimet ose nesër meqenëse prindërit e atij fëmije janë në punë deri në orën 5. Në qoftë se nuk vijnë, unë do t’i shoqëroj për të marrë vesh edhe të tjerët…
Nëna e 19-vjeçarit shpreh frikën për të ardhmen e të birit.
Nëna: Fëmija im shpëtoi këtë herë, ishte i zoti për të shpëtuar këtë herë. Në qoftë se herën tjetër mund të shkonte edhe më keq, kush do mbajë përgjegjësi për këtë? Policia që nuk më dha një arsye të fortë mua që të ikja me një mendje të fjetur apo prindërit që më thonë “hë falja se janë fëmijë të vegjël dhe do bëhen më mirë t’i pajtojmë, t’i bëjmë?” Absolutisht. Nuk fal askënd. Është e treta, e katërta herë që mua më ndodh me fëmijën tim.
Gazetari: Me të njëjtët persona?
Nëna: Po, me të njëjtët persona.
Avokati Arben Llangozi shpjegon pikat që duhet të ndiqte policia për këtë rast sensitiv që është neglizhuar në mënyrë absurde. Nëna e 19-vjeçarit kontakton sërish me OPGJ-në në Durrës.
Nëna: Alo, përshëndetje Emiljana!
OPGJ, Durrës: Përshëndetje! Po, si kalove?
Nëna: Mirë, qysh ia kaluat juve?
OPGJ, Durrës: Mirë, më thuaj!
Nëna: Doja të pyesja për çështjen e çunit, çfarë ka ndodhur, çfarë…
OPGJ, Durrës: Po çështja do kalojë në prokurori.
Nëna: Po ato çunat i keni gjetur për shembull?
OPGJ, Durrës: Një e kemi gjetur dhe po e pres të më vijë tani.
Nëna: Një po ndërkohë që unë i dhashë atij shefit të policisë, i dhashë dhe nja dy të dhëna të tjera për ata dy fëmijët e tjerë që ishin po në të njëjtën shkollë.
OPGJ, Durrës: Po mirë, shumë mirë se marr unë kontakt me të.