Në një operacion të zhvilluar nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë (MIT), është kapur Mehmet Goren, i konsideruar si një nga figurat e larta të grupit terrorist ISIS (Daesh), në rajonin Afganistan–Pakistan dhe është sjellë në Turqi.

Lajmi është bërë i ditur të hënën nga burime të sigurisë.

Sipas informacioneve, Goren kishte marrë pjesë aktive në kampet e ISIS-it dhe me kalimin e kohës ishte ngjitur në një pozicion administrativ brenda strukturës së grupit.

Ai njihej me emrin e koduar “Yahya” dhe ishte ngarkuar me organizimin dhe drejtimin e sulmeve vetëvrasëse në emër të organizatës terroriste.

Burimet e sigurisë bëjnë me dije se i dyshuari kishte rënë dakord të kryente sulme që synonin civilë në Afganistan, Pakistan, Turqi dhe vende të Evropës.

Hetimet e MIT-it kanë zbuluar se Goren kishte udhëtuar nga Turqia drejt rajonit Afganistan–Pakistan dhe kishte mbijetuar edhe sulme ajrore të kryera kundër elementëve të ISIS-it në Pakistan.

Gjithashtu, mësohet se ai kishte vepruar në bashkëpunim me Ozgur Altun, me emrin e koduar Abu Yasir Al Turki, i cili më parë kishte luajtur rol aktiv në transferimin e anëtarëve të ISIS-it nga Turqia drejt rajonit Afganistan–Pakistan.

Altun ishte kapur në të kaluarën, ishte sjellë në Turqi dhe ishte arrestuar.

Autoritetet turke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht aktivitetin e rrjetit terrorist dhe lidhjet e tij ndërkombëtare.