“Kismet” është emri i superjahtit, që mëngjesin e sotëm është ankoruar në radën e portit të Durrësit.

Mjeti lundrues super luksoz është në pronësi të miliarderit pakistanezo-amerikan Shahid Khan.

“DurrësLajm” mëson se 12 personat VIP që po udhëtojnë me të do të vizitojnë për disa orë qytetin dhe mes tyre ka biznesmenë amerikano-iranianë, disa prej të cilëve janë miliarderë të njohur në fushën e tyre.

Anija 122 metra e gjatë kombinon elegancën, rehatinë dhe teknologjinë e përparuar dhe është një shembull i dizajnit modern të jahteve.

Jo më kot superjahti “Kismet” është vlerësuar jahti më i bukur në botë për vitin 2025.  Ai është prodhuar në kantierin e mirënjohur Lurssen dhe është lëshuar në det në dhjetor të vitit të kaluar.

Jahti kushton 360 milionë dollarë dhe ka një kosto vjetore operative të mirëmbajtjes prej 30 milionë dollarë.

Ndryshe nga superjahtet e tjera që kanë vizituar shpesh portin e Durrësit gjatë viteve të fundit, ky supermjet lundrues nuk do të furnizohet me karburant.

M.B.