Kjo merkato që sapo lamë pas, solli në Superiore lojtarë me emër dhe të njohur për futbollin shqiptar. Disa ishin rikthime, e disa të tjerë si debutues, kanë bërë që edhe formacioni i lojtarëve më të shtrenjtë të kampionatit të ndryshojë. Kësaj 11-she të shtrenjtë i përshtatet skema 4-2-3-1. Ndërkohë që Partizani është ekipi që ka më së shumti lojtarë, plot 5 të tillë. Vlera e plotë e këtij ekipi është 4 milionë e 575 mijë euro.
Në portë është gardiani i Partizanit, Pano Qirko, vlera e të cilit është 325 mijë euro. Më pas, për të vazhduar përsëri me një “Dem”, Andi Hadroj ka blinduar krahun e djathtë të mbrojtjes, me futbollistin që e ka vlerën 400 mijë euro.
Mbrojtësi Azemoviç i cili u transferua te Elbasani gjatë kësaj vere është në dyshen e qendrës së mbrojtjes së bashku me Xhemajlin e Egnatias. Ky i fundit e ka vlerën 350 mijë, ndërsa Azemoviç plot 500 mijë euro.Në krahun e majtë të mbrojtjes s’kishte kush të ishte më me vlerë, përveçse lojtarit të Kombëtares shqiptare, Naser Alijit. Ky i fundit e ka vlerën plot 400 mijë euro, duke qenë edhe ndër më të mirët në këtë 11-she dhe më me vlerë.
Mesfusha plotësohet me Arbin Zejnullain 375 mijë euro dhe Enriko Papa që u transferua këtë verë te Laçi, i cili e ka vlerën 600 mijë euro. Po 600 mijë euro është edhe vlera e Arinaldo Rrapaj që s’mund të mungonte. Ndërkohë që sulmi plotësohet me Tedi Carën, i cili vlerësohet 325 mijë euro, ndërsa Rashica i Skënderbeun e ka vlerën 350 mijë. Për të plotësuar 11-shen më të shtrenjtë në majën e sulmit është Bintsouka, vlera e të cilit është 350 mijë euro.