Përfundon në tragjedi fundjava për një familje që ishte nisur për në Jug të vendit. Një masë e madhe guri është shkëputur nga një automjet i rëndë, duke rënë mbi një tjetër mjet që vinte pas tij.
Guri mermer ka rrëshqitur nga kamioni në autostradën e Lushnjës pranë fshatit Çiflig, duke zënë poshtë automjetin, brenda të cilit udhëtonin katër anëtarë të një familjeje. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme 24-vjeçarja Erinolda Isufaj, e cila ndodhej në vendin e parë të pasagjerit.

Gjithashtu kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit tip “Pezho”, 29-vjeçari Mariko Idrizi, i cili ishte i fejuari i saj, si dhe shtetasit Shkëlqim dhe Vitori Isufaj, prindërit e vajzës, që ndodheshin në sediljen e pasme. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:45. Familja ishte nga Tirana dhe udhëtonte për fundjavë në Jug të vendit. Sipas të dhënave, viktima ishte e punësuar në një nga mediat në Tiranë.
Rrethanat e aksidentit
Sipas të dhënave, mjetet ishin duke ecur jo me shumë shpejtësi, por për shkak të motit me reshje shiu, ishte bërë rruga e rrëshqitshme. Mjeti i tipit kamion, me targa AA 667 MP, me drejtues shtetasin B.P., 41 vjeç, banues në Fushë-Krujë, ishte duke transportuar gurë mermeri. Frenimi i tij i papritur ka bërë që guri të rrëshqasë, duke shpërthyer lidhjet e litarëve dhe ka rënë mbi autoveturën tip “Pezho” me targë AA 862 SF, që drejtohej nga 29- vjeçari. Mësohet se në rrugë kishte shumë qarkullim dhe mjetet ishin afër e afër me njëri-tjetrin. Rreth 2 metra dyshohet të ketë qenë afër “Pezhoja” mbi të cilën ra guri i përmasave afërsisht 3 metra i gjatë, i papërpunuar dhe me forma të çrregullta. Guri ka rënë mbi vajzën pasagjere, e cila ka ndërruar jetë menjëherë.





