Fundjava e djeshme është kthyer në tragjedi për tre të rinj në plazhin e Portonovës, që ndodhet në zonën e Zvërnecit. Dy kushërira 25 dhe 27 vjeçe dhe një pushues 24- vjeçar, i ardhur nga Tetova, u mbytën për shkak të dallgëve të mëdha në këtë zonë.

Viktimat, sipas Policisë, janë shtetasit Xhoana Cani, 25 vjeçe nga Tirana, Manuela Maraj, 27 vjeçe, nga fshati Babicë e Vlorës dhe Benjamin Ferati, 24 vjeç, i cili kishte ardhur të kalonte pushimet në Vlorë vetëm dy ditë më parë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:30, ku fillimisht ka rrezikuar jetën nga dallgët 25- vjeçarja nga Tirana.

Në ndihmë i kanë shkuar dy viktimat e tjera. Por, asnjëri nuk mundi të dalë i gjallë. Në këtë ngjarje është rrezikuar edhe motra e 27-vjeçares, por fatmirësisht ajo arriti t’u shpëtonte dallgëve dhe doli në breg.

“Më datë 15.07.2017, rreth orës 14:30, është marrë njoftimi paraprak se në plazhin e Zvërnecit po rrezikoheshin të mbyteshin në ujë 3 shtetas. Menjëherë shërbimet e policisë kufitare dhe ato vendore janë nisur në afërsi të vendit të ngjarjes pranë zonës së Portonovës, nëpërmjet mjeteve lundruese në ndihmë të personave, por nuk është bërë i mundur shpëtimi i tyre.

Si pasojë, janë mbytur 3 shtetas: dy shtetase të seksit femër dhe një tjetër i seksit mashkull. Policia ka bërë të mundur nxjerrjen nga uji të tre trupave të shtetasve të mbytur: M.M., 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë, Xh.C., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, B.F., 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni. Të tre viktimat janë transportuar në morgun e qytetit”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Vlorës.

VIKTIMAT

Beniamin Ferati, djali nga Tetova e Maqedonisë, ndodhej prej dy ditësh në Vlorë. Sipas të dhënave, ai kishte ardhur i shoqëruar dhe dje kishte zgjedhur plazhin e Portonovës për të kaluar ditën. Ndërkaq, Xhoana Cani, 25- vjeçarja nga Tirana, ndodhej te të afërmit e saj në Vlorë për të kaluar fundjavën.

Ajo ka shkuar dje në plazh me kushërirën e saj, Manuela Maraj, dhe motrën e kësaj të fundit, 23 vjeçe. Mësohet se edhe herë të tjera ato preferonin Portonovën, për shkak të numrit të pakët të frekuentuesve dhe qetësisë që të ofron kjo zonë. Sipas të dhënave, Manuela Maraj ishte me origjinë nga Elbasani dhe e martuar në fshatin Babicë. Ajo ishte nënë e një djali.

Dje në të gjithë qarkun e Vlorës deti ka qenë mjaft i trazuar. Për këtë shkak, edhe një djalë 14 vjeç nga Vlora u mbyt në zonën e Marinës. Ai u fut në det të lahej, por nuk arriti të dalë si pasojë e dallgëve.