Margarita Keçi është 36-vjeçarja që humbi jetën ditën e mërkurë në spitalin e Durrësit, pasi kishte shkuar disa herë me radhë në Qendrën Shëndetësore Shijak, për t’u kuruar nga dhimbja e barkut, për të cilën ankohej. Dyshohet se 36-vjeçarja vuante nga gastriti akut në stomak, por ende nuk është zbardhur shkaku i vdekjes së saj.
Do të jetë mjekësia ligjore që pritet të hedhë dritë mbi shkakun real që shkaktoi vdekjen e së ndjerës. Ajo u paraqit për dy ditë me radhë në QSh Shijak duke u ankuar nga dhimbjet e barkut. Mjekja e familjes i rekomandoi disa medikamente që nuk e përmiresuan gjendjen shëndetësore të gruas së re, e cila u paraqit sërish në qendrën shëndetësore. Pas serumit të bërë nga mjeku roje i qendrës, 36-vjeçarja e ka kaluar natën në gjumë, por në mëngjes dhimbjet janë rikthyer.
Ajo është dërguar nga familjarët në spitalin rajonal të Durrësit, ku dhe humbi jetën.
Policia e Shijakut njoftoi një ditë më parë se kishte nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit M.S., 49 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek i urgjencës pranë qendrës shëndetësore Shijak dhe shtetasen O.S., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke e familjes pranë qendrës shëndetësore Shijak.
“Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet se nuk i kanë dhënë mjekimin e duhur shtetases M.K., 36 vjeçe, banuese në Shijak, e cila pasi ishte paraqitur disa herë për mjekim në Qendrën Shëndetësore Shijak, ka shkuar në banesë e më pas më datë 19.08.2020, është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës ku dhe ka ndërruar jetë”,– njoftoi policia.
Të dy mjekët akuzohen për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.





