Nga Oerd Bylykbashi
Kjo është banda që po ju qeveris!Sot i ashtuquajturi “interes publik” është kthyer në rrezik publik akut. I ashtuquajturi “interes publik”, i shndërruar në një sëmundje autoimune, po vret vetë publiken dhe bashkë me të interesin dhe të drejtat individuale të çdokujt prej nesh, emër për emër.
Edi Rama nuk ndalet në sulmin që i bën themeleve të asaj që dikur, jo më larg se 22 korrik 2016, e quanim ende “shtet i së drejtës”. Në vend të tij sot mbizotëton Shteti i Padrejtë.
Më parë Partneriteti Publik Privat (PPP), tani “Interesi Strategjik” është tanku me të cilin Edi Rama po shkel gjithçka. Interesi strategjik po përdoret si Kalë Troje, që në barkun e “interesit publik” të fshihen 10-15 klientët apo ortakët e qeverisë.
Interesi strategjik po zhvesh publiken për interesin privat të një grusht klientësh të Ramës.
Në 1945, gjyshërit e këtyre që sot qeverisin e grabitën pronën private me grykën e armëve dhe e quajtën shtetëzim.
E përdorën pronën por nuk guxuan ta merrnin për vete. Sot, nipërit po grabisin prona private me justifikimin e “interesit strategjik”. Që të jenë brenda, zyra e noterisë e quajtur Parlament bën edhe një ligj.
Dhe më pas, atë që grabisin e mbrojnë me Kod Civil dhe gjykatat reformës së tyre që rrezikojnë t’i shërbejnë si sistem imunitar kësaj kleptokracie. Për llustër gjendet edhe ndonjë tip strategjik i huaj që të mbyllë gojën publiku.
Porti i Durrësit është manuali i grabitjes strategjike. Boll të hapësh barkun e këtij Kali Troje dhe qelbet dynjaja nga pisllëku politik.
Aty sheh si janë ngatërruar zorrët e politikës.Kjo nuk është një histori korrupsioni. Korrupsioni bëhet në fshehtësi, atë përpiqen ta mbulojnë.
Kjo nuk është as vjedhje, se edhe ajo bëhet fshehurazi. Ajo që po i bëjnë Durrësit dhe në këtë rast gjithë Shqipërisë, dhe jo vetëm neve që jetojmë sot por edhe brezave që do të vijnë, është grabitje ditën për diell me maskën e “interesit strategjik”.
Shqiptarë, keni vetëm një mekanizëm publik strategjik në dorë për të drenuar këtë kënetë të fëlliqur plot me ushunjëza: keni votën tuaj. Deri atëhere protesta juaj e dredh Edi Ramën dhe bandën e tij.