Një grua bullgare, e njohur gjithashtu si “Cryptoqueen”, “Mbretëresha e kriptomonedhave” është shtuar në listën e FBI-së me 10 të arratisurit më të kërkuar në botë.

Ruja Ignatova akuzohet se ka mashtruar investitorë për 4 miliardë dollarë duke shitur një kriptomonedhë false të quajtur OneCoin.

Ignatova, e cila ka shtetësi gjermane, u zhduk në fund të vitit 2017, pasi vuri përgjues në banesën e të dashurit të saj amerikan dhe mësoi se ai po bashkëpunonte me hetuesit e FBI-së për OneCoin, thanë prokurorët.

Ajo mori një fluturim nga Bullgaria për në Greqi dhe që atëherë nuk është parë më.

Viti i zhdukjes, ai 2017, përkon me kohën kur zyrtarët amerikanë nënshkruan një urdhër arresti për të.

FBI madje ka deklaruara se do të japë një shpërblim 100,000 dollarë për ata që japin informacion të vlefshëm që çon në arrestimin e saj.

Ndaj 42-vjeçares në vitin 2019 u ngritën tetë akuza, mes tyre mashtrimin me letra me vlerë dhe ngritjen e një skeme piramidale me OneCoin Ltd me bazë në Bullgari.