Në raportin e tij të detajuar për ankesat e ngritura nga qytetarët e Durrësit gjatë dëgjesave publike, kryeministri Rama ka specifikuar edhe lagjet apo njësitë administrative ku janë ngritur këto problematika.

DurrësLajm konstaton se lagjja me problematikat më të shumta është ajo nr.15, e njohur ndryshe si zona e Spitallës.

Plot 12 ankesa të ndryshme kanë ngritur banorët e kësaj lagjeje gjatë dëgjesave publike me pushtetarët vendorë dhe deputetët e PS në Durrës.

Ndër më kryesoret janë: Mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e një kopshti, kamatëvonesat dhe mbifaturimet e energjisë, mungesa e një vendi për pensionistët dhe sistemimi i ujërave të bardha dhe të larta.

Lagjja nr.15 pasohet nga një tjetër lagje problematike, ajo nr.18, ankesat e së cilës janë sërish të karakterit social.

Bie në sy se lagjet kryesore të qytetit, pjesë e rajonit nr.1 (perfshin lagjet nr.1,2.3 dhe 4) nuk kanë ngritur asnjë ankesë. Duket se pas investimeve goxha të kontestuara të bashkisë si rikonstruksioni i sheshit kryesor të qytetit apo Veliera e famshme, qytetarëve të këtyre lagjeve u është ngritur aq shumë standarti i jetesës, saqë mos t’i kërkojnë më asgjë kryebashkiakut apo të zgjedhurve që do të përfaqësojnë Durrësin në Parlament.

Ndërkohë zona turistike e Plazhit, ajo që përballon edhe fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, vazhdon të ankohet për të njëjtat problematika, që ende nuk kanë gjetur zgjidhje nga pushtetarët vendorë dhe institucionet në varësi.

Mungesa e ujit të pijshëm, problemet me energjinë, kanalizimet e ujërave të zeza dhe përmbytjet në zona të caktuara, ndërtimi i një mbikalimi për të mundësuar lëvizjen e banorë dhe shmangur aksidentet, mungesa e ndriçimit dhe gjelbërimit, mungesa e hapësirave publike dhe kushteve përgjatë vijës bregdetare etj janë disa nga ankesat e stërpërsëritura ndër vite nga banorët.

Gjithsesi administrata Dako do të qeverisë Durrësin edhe për dy vite të tjera gjatë mandatit të tretë. Ndonjë ankesë të qytetarëve ndoshta edhe do ta zgjidhë…!!!