Sportistja e njohur e qitjes, Dhurata Prifti u përplas sot për vdekje nga një drejtues mjeti i papërgjegjshëm.

Prifti, ish-zv.kampione e Shqipërisë në Qitje, lojtare e ekipit Studenti, po kalonte rrugën “Jordan Misja” nga njëri krah në tjetrin bashkë me dy djemtë e saj.

Aksidenti ka ndodhur pranë zyrave të Arkivit të Shtetit, ku sportistja 45-vjeçare u përpoq të shpëtonte djemtë e saj.

Në videon e publikuar të momentit të aksidentit, shihet që drejtuesi i automjetit  tip “Benz”, nuk ka ndaluar edhe pasi përplasi 45-vjeçaren dhe dy djemtë e mitur.

Kjo bëri që makina të kalonte mbi trupin e sportistes, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pak orë më pas ajo ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak.

Andrea Memollari, 20 vjeç, është arrestuar nga policia pak orë pas ngjarjes si autor i aksidentit fatal.