31 gusht 2015 – Kjo është nusja nga Saranda që vodhi 10 milionë lekë në shtëpi 3 vjet më parë dhe i shpenzoi paratë me dashnorin e saj. Lorena Arapi, 24 vjeçe në bashkëpunim me dashnorin e saj nga Berati, Adiol Çiflikun, realizuan planin e vjedhjes. Nusja mori paratë nga shtëpia ku jetonte dhe më pas i ka shpenzuar në kohë të ndryshme me të dashurin e saj 28-vjeçar, gjatë takimeve të tyre të fshehta.

Mësohet se pas arrestimit, Lorena e ka pranuar vjedhjen që ka kryer, dhe ka rrëfyer në komisariat se nuk ka qenë hera e parë që kishte vjedhur lekë në shtëpi. Ajo kishte vjedhur 1000 apo 2000 euro dhe gjithçka e bënte që të argëtohej me dashnorin pasi ai nuk kishte mundësi ekonomike.

Ndërsa, 28-vjeçari Adiol Çifliku, pasi u ndalua nga uniformat blu në Berat, nuk i ka pranuar akuzat dhe është mbrojtur duke thënë se vjedhjen e ka realizuar vetëm Lorena dhe që ai nuk ka gisht fare.

“Ajo më thoshte herë pas here të shkoja në Sarandë. Unë nuk kisha mundësi ekonomike, por ajo këmbëngulte: Hajde, se t’i heq un shpenzimet”, mësohet të ketë thënë i riu.

Që prej kohës kur ka ndodhur vjedhja, Çifliku kishte krijuar një jetë të re, është martuar dhe është babai i një fëmije.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/