Bosi i drogës në Paraguai, Jarvis Chimenes Pavao, teksa kryente dënimin e tij në burg, e kishte kthyer qelinë në një ambient super luksoz.
Ky fakt u zbulua nga policia vendase gjatë një kontrolli, ku në një qeli me tri dhoma, ata gjetën një dhomë konferencash, televizor me ekran plazma, bibliotekë dhe kuzhinë.
Pjesa e brendshme e qelisë e brazilianit Jarvis Chimenes Pavao, tani është shkatërruar, shkruan BBC.
Policia kishte mësuar se Pavao kishte planifikuar të shpëtonte, duke përdorur eksploziv për të hapur një vrimë në murin e burgut.
Pavao ishte gati për të përfunduar dënimin e tij për pastrim parash, ku në fund të vitit të ardhshëm pritej të ekstradohej për në Brazil.
Ai tani është transferuar në një njësi të veçantë, larg nga qelia e tij luksoze.
Ndërkohë, një hetim tjetër është në proces në lidhje me atë se cilët zyrtarë e kanë lejuar të krijonte një jetë të tillë luksoze.





