Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka sulmuar sot PPP-të e qeverisë, paratë që jepen për të cilat sipas saj mund të përmirësojnë gjendjen e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës.

Voshki shkruan në Facebook se gjendja në QSUT është rënduar dhe se nuk mund të përballohet dot fluksi i pacientëve. Sipas saj, personat që presin për shërbim e marrin atë ulur në karrige ose në tokë.

“Për këdo që ka një hall me një të sëmurë këto ditë, urgjenca e QSUT është shndërruar në një tmerr pa fund. Qindra pacientë që presin me orë e orë të tëra pa marrë asnjë shërbim mjekësor; që ulërasin nga dhimbjet e bërtasin duke kërkuar shërbim. Një shtrat është kthyer në një dëshirë të paarritshme. Nuk ka as karrige për pacientët që përfundojnë ulur në shesh. Injeksionet dhe analizat e gjakut në rastin më të mirë bëhen në karrige, duke rënkuar nga dhimbjet që nuk kurohen. Miliona Euro çdo muaj që shkojnë PPP për oligarkë e klientë të Qeverisë, por asnjë shërbim për qytetarët. Kjo eshte shendetesia falas e Edi Ramës!”, shkruan Vokshi.