Gruaja që shihni në foto është shqiptarja që humbi jetën aksidentalisht në vendin e punës ku kishte shkuar për të pastruar. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në Messolonghi, në Greqi.
Ana, mbiemri i të cilës nuk bëhet i ditur, vdiq tragjikisht pasi u pre nga pajisja e mishit në një dyqan kasapi, ku kishte shkuar bashkë me vajzën e saj, e cila pa skenën e tmerrshme. Mediat greke raportojnë se policia arrestoi pronarin e biznesit, pasi në kuadër të hetimeve, ai akuzohet për një aksident industrial me pasojë vrasje nga pakujdesia.
Trupi i gruas fatkeqe u dërgua në Patra për autopsi, ndërsa varrimi pritet të bëhet në ditët në vijim në Evinochori.
Nëna e saj është në shok. “Në orën 9 e kanë marrë për të shkuar në punë dhe në orën 10 ka ardhur lajmi”, i tha ajo një personi të afërt. Në të njëjtën kohë, të afërmit e saj po përpiqen të kuptojnë se si ka ndodhur aksidenti. “Vajza e saj po pastronte përpara dhe nëna ishte në kuzhinë. Në një moment vajza dëgjoi zëra. Ajo vrapoi dhe pa nënën e saj në këtë gjendje”, tha një i afërm i gruas për protothema.gr.
Gruaja prej dy vitesh jetonte në Mesolongji me nënën dhe dy fëmijët, vajzën 18-vjeçare dhe djalin 10-vjeçar , kur erdhi nga Shqipëria, pas ndarjes me bashkëshortin. Sipas njerëzve që e njihnin, ajo punonte me të bijën nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe pastronin dyqanet për të siguruar jetesën.