29 qershor 2015 – Java e ardhshme, e cila përkon me grumbullimin e skuadrës dhe fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik 2015- 2016, do të zbulojë planet e trajnerit Magani.

Numri një i pankinës durrsake do të bëjë të ditur përpara skuadrës planet e tij për sezonin e ri, si dhe do të flasë hapur me lojtarët që u ka përfunduar kontrata, nëse këta të fundit bëjnë apo nuk bëjnë pjesë në planet e tij.

Në fakt, janë të shumtë lojtarët që u kanë përfunduar kontratat dhe presin me padurim vendimin e teknikut Magani dhe stafit drejtues të Teutës, nëse këta të fundit kanë në plan për t’u rinovuar kontratat apo do t’u japin leje për të kërkuar skuadër tjetër për sezonin e ri 2015-2016.

Drejtuesit durrsakë kanë afruar deri në këto moment tre lojtarë, dy mesfushorë dhe një mbrojtës kosovar. Bëhet fjalë për dy mesfushorët e Elbasanit, Emiljano Musta dhe Ardit Hila, si dhe mbrojtësin e Prishtinës Viktor Kuka. Pritet që një pjesë e mirë e lojtarëve, të cilët mbyllën sezonin, të mos jenë në organikën e ekipit në vazhdim. Seleksionimi përcaktues pritet të bëhet para se skuadra durrsake të niset për fazën përgatitore. Ka të ngjarë që dy javët e ardhshme të jenë intensive edhe në drejtim të afrimeve, sepse Magani kërkon të udhëtojë me skuadër të plotë drejt Bullgarisë, vend në të cilin parashikohet që “djemtë e detit” të kryejnë fazën përgatitore. 3 ndeshje miqësore do të zhvillojnë durrsakët gjatë kohës që qëndrimit në Bullgari për të zhvilluar fazën përgatitore. Ata do të luajnë ndaj ekipit armen të Gandzasarit dhe Skoda Xanthit si dhe Platanisa të Greqisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/