Ngrenë zërin shoferët e autobusëve në portin e Durrësit, mbetën në tokë pasi nuk kaluan në skaner.
Kaos mbrëmjen e sotme pranë skanerit, pasi për shkak të procedurave të tejzgjaturave dhe vonesave shumë mjete të tonazhit të lartë dhe autobusë kanë mbetur në tokë dhe nuk janë imbarkuar.
“Kush do u japë zgjidhje pasagjerëve tanë? Trageti iku, i la këtu!”,- thotë një shofer autobusi.
“Gjysma e pasagjerëve ikën me traget, gjysma tjetër kanë mbetur të autobus”,- thotë një tjetër shofer autobusi që nuk di çfarë zgjidhje t’u ofrojë dhjetëra qytetarëve që presin të nisen drejt destinacionit final të tyre.
“Kjo situatë nuk është për fajin tonë!”,– shton një tjetër.
Burime për “DurrësLajm” bëjnë të ditur se situata e krijuar në portin më të madh në vend vjen për shkak sepse në skaner në dalje kalon çdo lloj mjeti që imbarkohet në tragete, duke nisur nga automjetet e vogla, autobusë, kamionët, trajlerat etj.
Pamjet që sjell operatori Denis Simaku dëshmojnë rradhët e gjata në port dhe dëshpërimin e shumë shoferëve që nuk dinë çfarë zgjidhjeje do t’u ofrohet nga autoritetet portuale.
Ndërkohë vonesat në nisjen e trageteve nuk janë një fenomen i ri në portin e Durrësit, pasi shpesh tragetet e linjës Durrës-Bari nisen me orë vonesë nga orari i tyre i planifikuar, për shkak të vonesave në skaner.
M.B.





