Tiranë, 8 shtator 2014  – Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu është shprehur se mbetet në pritje të përgjigjes së Ministres së Integrimit Europian, Klajda Gjosha, në lidhje me letrën e dërguar prej saj, sa i takon ngritjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Integrimit, nënkryetari i komisionit, Balla, na fton ne deputetët e opozitës që të shkojmë të diskutojmë për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

“Ajo që nuk shkon e që unë se kuptoj, është pse Balla merr përsipër t' i përgjigjet letrës që unë i kam dërguar ministres Gjosha. Qëndrimin e opozitës fare qartë ia kam shkruar Ministres së Integrimit, në përgjigje të formatit lëmsh të propozuar nga qeveria për Këshillin Kombëtar të Integrimit”, shkruan Bregu në Facebook.

Ajo propozon të zgjidhet një standard e model evropian për funksionimin e këtij Këshilli. Sipas deputetes Bregu, meqënëse strukturat tona në procesin e integrimit janë ngritur sipas modelit kroat, edhe Këshilli Kombëtar le të jetë sipas atij modeli.

“Të drejtohet nga opozita, me nënkryetar nga maxhoranca e të jetë strukturë tërësisht parlamentare për të siguruar kontrollin parlamentar ndaj qeverisë në këtë proces, por edhe sepse është dëshmi e gjithpërfshirjes aq të domosdoshme në favor të integrimit evropian si axhendë kombëtare”, thotë deputetja demokrate.

Ajo përfundon se po pret përgjigjen e letrës që i ka dërguar me shkrim, Ministres së Integrimit, para datës 20 shtator.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/