Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit janë marrë 2 vendime shumë të rëndësishme për 2 investime, që po marrin udhë në qytetin e Durrësit.

Bëhet fjalë për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto-Romano, i cili është në fazë fillestare, ndërsa subjekt zhvillues është Autoriteti Portual, si dhe kompleksi i Akademisë së Futbollit me ambjente sportive dhe në funksion të Fondacionit “Durrah City Football Academy”.

Po ashtu, KKT-ja ka dhënë leje për ndërtimin e komplekseve turistike multifunksionale rezidenciale, si ajo për ndërtimin e objektit “Kompleks hoteleri, shërbim dhe banimi me 6 deri në 15 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën Egnatia dhe subjekt zhvillues shoqërinë “Vezi Group” sh.p.k.

Në mbledhjen e fundit të zhvilluar këtë fillim-korriku, KKT-ja miratoi edhe lejet për ndërtimin apo zhvillimin e disa projekteve kullash në Tiranë, ku më kryesorja është ajo në Bulevardin e Ri, që lë pas projektin “Mount Tirana”, që është deri më tani projekti me lartësinë më të madhe, me 58 kate.

Ndërkohë, në listën e vendimeve të KKT janë dhe ndërtime në rrugën “Dritan Hoxha” kudo të jetë me 35 katë si dhe në rrugën “Teodor Keko”, për ndërtimin e një ndërtese me 50 kati mbi tokë.

Gjithashtu, në listën e 44 projekteve të miratuara janë edhe disa investime të tjera publike përfshirë nënstacione për eënergjinë elektrike, infrastrukturën detare në Orikum, ndërhyrjet në xhaminë e Plumbit në Shkodër si edhe një sërë ndërtimesh në funksion të menaxhimit të fluksit turistik në disa bashki të tjera të vendit.