Pak ditë para publikimit të raportit për Shqipërinë, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka qenë në një vizitë dy ditore në Bruksel.

Në përfundim të takimeve dhe vizitës, Gjosha ka bërë me dije se priten arrestime të nivelit të lartë, por se kjo nuk është pjesë e punës së përditshme të politikës. Ministrja theksoi se zbatimi i reformës në drejtësi është parësore dhe se çdo gjë më pas vjen si pasojë e zbatimit të ligjit.

“Në fakt në Shqipëri pavarësisht asaj që pritet edhe për arrestimet e nivelit të lartë apo emra të ndryshëm, kjo në fakt nuk ka të bëjë me punën tonë të përditshme. Ajo çka ne duhet të sigurojmë është që reforma në drejtësi duhet të fillojë të implementohet me sukses dhe duhet të fillojë të zbatohet nga të gjithë ne. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ne te jemi koshientë që duhet të zbatojmë ligjin dhe se ligji është mbi këdo.

Kjo duhet të jetë prioritare për të gjithë ne dhe më pas çdo emër tjetër i politikës, i gjyqësorit apo instancave më të larta, mund të vijë si pasojë e zbatimit të ligjit, por nuk duhet të jetë parësore dhe mbi çdo gjë”, deklaroi Gjosha.

Sipas Gjoshës Shqipëria e ka përmbushur parakushtin, me miratimin e reformës në drejtësi, për këtë arsye ajo ka kërkuar nga institucionet e BE-së, marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE.