TIRANË- Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, është emëruar Zv. ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Znj. Gjosha ka zëvendësuar në këtë post Filloreta Kodrën, e cila është emëruar pak kohë më parë ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuar dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë. 

Zv/ministria Gjosha është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, frënge dhe italiane. Ajo ka punuar si drejtoreshë e Marketing-Promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe drejtoreshë sektori në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Migracionit në Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Klajda Gjosha u zgjodh kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim në maj të këtij viti në mbajtjen e punimeve të Konventës Kombëtare të LGI-së.