Itali, 9 maj 2014 – Karabinierët e qytezës së Fubines, në provincën e Aleksandrisë arrestuan natën e së mërkurës duke gdhirë e enjte Bledar Osmenin, 32 vjeç për vjedhje bakri. Bledari ka një listë të gjatë precedentësh penalë.

Ai është dëbuar 4 herë nga Italia dhe në momentin e arrestimit gjendej ilegalisht në vendin fqinjë. Bledari, me dy bashkëpunëtorë të tjerë, kishte vjedhur me thyerje një sasi të konsiderueshme bakri në një kapanon industrial.

Roja njoftoi karabinierët, sapo konstatoi vjedhjen. Makinat e karabinierëve u vunë në ndjekje të furgonit tip Ford Tranzit, që drejtohej nga Bledari.

Dy hajdutët e tjerë u hodhën nga furgoni në ecje dhe ia mbathën në këmbë nëpër ara, ndërsa Bledari u arrestua nga karabinierët. Në furgon u gjetën një sërë pajisjesh, që përdoreshin nga tre keqbërësit për të kryer vjedhje me thyerje.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/