Ditën e premte dega lokale e PD-së organizoi ceremoninë e anëtarësimit të 430 të rinjve dhe të rejave në gjirin e kësaj partie. Me këtë aktivitet Partia Demokratike duket se deshi të tregonte se mandati i dytë nuk e ka konsumuar dhe ashtu siç deklaroi edhe kryeministri Berisha po përgatitet për një mandat të tretë qeverisës. Por sa e vërtetë është kjo situatë, kur ka një perceptim që çdo ditë e më shumë nxjerr në pah një klanizim të kësaj partie, qoftë në qendër e qoftë në nivel lokal.

Duket se aktiviteti i fundjavës ishte fasada e rradhës që kërkon të servirë PD-ja e Durrësit, ose më mirë disa drejtues të saj për gjoja fuqizimin e partisë e shtimin e rradhëve të saj me elementë të rinj. Apatia e fushatës së kaluar për zgjedhjet vendore duket se po e shoqëron edhe këtë herë degën lokale të PD-së, që ose është e paaftë të pranojë e të përpiqet të zgjidhë problematikat me të cilat përballet prej një kohe të gjatë, ose i njeh ato shumë mire dhe nuk përpiqet të reagojë, pasi kjo i shkon për shtat atyre që kanë zaptuar drejtoritë e institucioneve në Durrës.

Këto problematika nisin që në momentin kur njoftimi për këtë takim nuk u bë si zakonisht nga një zëdhënës për shtyp i kësaj dege, por nga vetë kryetari Igli Cara. Mesa duket PD-ja ose e ka të vështirë t’ia besojë këtë detyrë dikujt brenda PD-së, pasi de facto ajo që e mbulon aktualisht është e paaftë dhe e ka të vështirë për të krijuar raporte korrekte me mediat dhe gazetarët.

Një problem tjetër që është akoma më serioz e që cënon rëndë mirëfunksionimin e degës së Durrësit është fraksionimi i kësaj partie në të mirë dhe të këqinj, të ndershëm dhe servilë, të bindur dhe rebelë. PD-ja e Durrësit ka kohë që vuan nga një krizë përfaqësimi, pasi figurat drejtuese të saj ka kohë që e kanë humbur besueshmërinë në popull.

Kjo përveçse është një sinjal negativ, që u dëshmua më së miri në humbjen e thellë në zgjedhjet e fundit lokale, tregon njëkohësisht se idealizmi politik është një koncept gati gati i panjohur për shumicën dërrmuese të përfaqësuesve të degës lokale të partisë. Megjithëse ishte një takim me të rinjtë nuk kishte se si të mos të të bënte përshtypje mos prania e drejtuesit të Forumit Rinor të PD-së Gerti Bogdani dhe Rezart Kthupit, drejtuesit lokal të të rinjve.

Konfliktet dhe përplasjet e Kthupit me disa nga drejtuesit e degës së PD-së janë një fakt i njohur tashmë, e ndoshta kjo ishte dhe arsyeja pse ai mungonte në takim, por nga ana tjetër mungesa e Bogdanit është e pashpjegueshme. Në një diferencë prej 24 orësh si Berisha ashtu dhe Rama ishin në Durrës dhe epiqendër e takimeve të tyre ishin të rinjtë. Po ndërsa Rama kishte marrë me vete një shpurë të tërë të drejtuesve rinorë, PD-ja e Durrësit u mjaftua vetëm me praninë e kryeministrit Berisha.

Nga ana tjetër entuziazmi që përcillej në takimin e FRESSH-it dhe atij të forumit rinor të PD-së në Durrës ndryshonte rrënjësisht. Sinjalet që duhet të trokasin në veshët e drejtuesve të degës së PD-së së Durrësit janë të shumta dhe alarmante, por mbetet vetëm për t’u kuptuar nëse ato do të dëgjohen prej tyre. PD-ja e Durrësit me këtë mënyrë të të bërit fushatë dhe mobilizimit të militantëve të saj rrezikon të përsërisë humbjen në zgjedhjet e fundit lokale, madje ta thellojë edhe më shumë atë.

Zërat brenda PD-së prej kohësh flasin për një klanizim nga ana e disa prej drejtorëve fuqiplotë dhe të pasur të degës lokale, të cilët nuk duan dhe nuk pranojnë rivalitetin në parti. Me siguri që edhe në rast humbjeje ky grupim e ka gati planin për justifikimin e rradhës. Sipas të gjitha gjasave ajo do t’i faturohet kryetarit Igli Cara (praktikat e mëparshme të reagimit të PD-së pas humbjeve të çojnë të besosh këtë variant) duke lënë të paprekur ata, që realisht janë fajtorët kryesorë për largimin ose mosafrimin e mjaft figurave të reja që do i jepnin frymëmarrje dhe alternativa të reja PD-së në Durrës.

Berisha me vullnetin e tij të hekurt politik u kërkoi drejtuesve lokalë që të shkojnë shtëpi më shtëpi dhe të kërkojnë mandatin e tretë. Po kush nga këta drejtues do të marrë kurajon të trokasë nëpër dyert e qytetarëve për të kërkuar votën e tyre. Figura si Edi Ndreu apo Doklead Ademi vështirë që mund të trokasin në dyert e qytetarëve durrsakë.