Të gjithë ata që ushtrojnë aktivitetin si strukturë akomoduese dhe do të duan ta klasifikojnë atë sipas kategorisë përkatëse mund ta bëjnë këtë proces online.

Një vendim I fundit i miratuar në qeveri këtë të enjte nënvizon se tashmë procesi do të kalojë përmes e-albania dhe se certifikata që do të lëshohet do të jetë me vulë elektronike. Gjithsesi kjo do të zerë vend vetëm  pas ngritjes së sistemit të informacionit të menaxhimit të turizmit.

“Paraqitja e aplikimeve përmes portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kthimi i përgjigjeve për aplikimet nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, me vulë elektronike, hyn në fuqi pas ngritjes dhe funksionimit të plotë të Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Turizmit.

Deri në ngritjen dhe funksionimin e plotë të sistemit, paraqitja e aplikimeve, si dhe përgjigjet për aplikimet dërgohen sipas përcaktimeve në fuqi në kohën e paraqitjes së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë.

I njëjti sanksionon se çfarë do të quhet aplikim ku sipas vendimit : Aplikim nga subjekti ose sipërmarrësi turistik”, është aplikimi on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” për klasifikim, riklasifikim, rinovim të vlerësimit të strukturës akomoduese, si dhe ndryshim të të dhënave në certifikatë.”

Kuadri ligjor përcakton se çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, pajiset me certifikatë klasifikimi për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Komisioni klasifikon çdo strukturë akomoduese, mbështetur në kushtet dhe kriteret e parashikuara në rregulloren përkatëse.

Sipas vendimt sipërmarrësi turistik, që ushtron veprimtarinë strukturë akomoduese, duhet të paraqesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” aplikimin për pajisjen me certifikatë klasifikimi, duke plotësuar formularin elektronik.

Komisioni, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e vendimit për përcaktimin e nivelit të klasifikimit, përgatit certifikatën e klasifikimit me nënshkrim elektronik/dhe me vulë elektronike dhe ia dërgon aplikuesit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi përcakton gjithashtu se sipërmarrësi turistik, i cili zotëron një certifikatë klasifikimi, në rastet kur kanë ndodhur ndryshime në të dhënat e paraqitura për marrjen e saj ose çdo ndryshim, që mund të ndikojë në klasifikimin e strukturës akomoduese, brenda 7 (shtatë) ditëve nga ndodhja e tyre, aplikon në portalin qeveritar “e-Albania”./MONITOR