DURRËS, 11 korrik 2014 –  Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, zhvilloi më 11 korrik 2014 mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Parë Krujë dhe kryetarit të Gjykatës së Parë Kavajë.

Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetare të Gjykatës së Parë Krujë, të zj. Almë Kolgjoka (Hoxha) dhe si kryetare të Gjykatës së Parë Kavajë zj. Entelë Shedula.

Këshilli, shqyrtoi gjithashtu projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke miratuar aktin e vlerësimit për z. Tritan Hamitaj, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës;

Për shkak të mungesës së Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço në mbledhjen plenare të 11 korrikut 2014, Këshilli vendosi shtyrjen e procedimeve disiplinore për tre gjyqtarë për datën 16 korrik 2014.

Në një njoftim për shtyp, Këshilli i Lartë i Drejtësisë tha se e konsideron të qëllimtë mungesën e Ministrit të Drejtësisë dhe joserioze arsyet e kësaj mungese.

Sipas KLD-së, Ministri i Drejtësisë tregoi edhe një herë se deklaratat e tij të papërgjegjshme qëllim kryesor kishin përbaltjen e këtij institucioni.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/