TIRANE, 6 korrik 2013 – “Isha në pritje të emërimit në Gykatën e Apelit. Kërkesën e kam bërë që në datën 14 janar 2013”. Ish-kryeprokurorja Ina Rama, e sulmuar nga maxhoranca aktuale, tashmë në ikje, nuk ka mundur të sigurojë një vend në Gjykatën e Apelit, edhe pse zyrtarisht prej muajsh i është drejtuar me kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar, sikurse parashikohet në ligj.
Dikur shefja e organit të akuzës, që shpesh prishte planet e maxhorancës qeverisëse, nuk është votuar as dje për një vend nga shtatë që ishin vakante në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit, për arsye që nuk bëhen të ditura. E kontaktuar nga “GSH” znj.Rama konfirmon faktin se ka bërë kërkesë për emërimin si gjykatëse në Apel që në datën 14 janar 2013 dhe ishte në pritje të emërimit.
Një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh se emri i Ina Ramës nuk figuronte në listën me 108 emra që konkurruan për shtatë vendet vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ai nuk mundi të japë arsyen e mosemërimit të ish-kryeprokurores Rama, edhe pse kanë kaluar afro shtatë muaj prej ditës kur ka bërë kërkesën për rikthimin në radhët e gjyqësorit. Për shkaqe ligjore, apo arsye tërësisht personale, fakt është që Ina Rama ende vazhdon të jetë jashtë gjyqësorit.
Të votuarit
Që në krye të herës, pak para votimit të anëtarëve më të rinj të Gjykatës së Apelit të Tiranës, presidenti i vendit Bujar Nishani, foli për një proces vlerësimi model, të ngritur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Mandej, në mesin e 108 kandidatëve, shtatë prej tyre, mes të cilëve dhe emra të përfolur nga politika, e të akuzuar prej saj u votuan si anëtarët më të rinj të Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Emri i parë në listë ishte Marie Qiriazi, ish-anëtare e Kolegjit Zgjedhor, e akuzuar ashpër nga opozita, për vendime të njëanshme gjatë zgjedhjeve vendore të 2011. Shkëlqim Mustafa, është gjykatësi i radhës, që do të transferohet në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit. Mustafa, ishte gjykatësi që caktoi masat e sigurisë për të akuzuarit e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Agim Bendo, i cili do të mbahet mend si njeriu që shpërbleu me 400 mijë euro ish-ministrin Ylli Pango, pas të ashtuquajturit skandali seksual. Ridvan Hado dhe Fatmira Hajdari, njihen si gjykatësit që firmosën vendimin për të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, një prej çështjeve që do të cilësohet për shumë kohë si “patatja” e nxehtë e drejtësisë shqiptare. Edhe pse vendimi i firmosur prej tyre u la në fuqi dhe në Gjykatën e Apelit, duket se emrat e Hados dhe Hajdarit do të kujtohen gjatë për atë proces.
Dje KLD-ja miratoi për në Apel dhe një anëtar të sajin, Ilir Mustafaj, si dhe votoi për në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit, Ervin Metallën, kryetar i Gjykatës së Durrësit. Për shtatë vendet vakante në Apelin e Tiranës kishin kandiduar 136 gjykatës të Shkallëve të Para, ku 18 prej tyre ishin skualifikuar për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore për tu votuar në Këshill.





