Tiranë, 30 qershor 2014 – Mbledhja e sotme e KLD dhe vendimet e dala prej saj për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Tiranës, solli përplasje mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pas përfundimit të mbledhjes, Ministria e Drejtësisë akuzoi Këshillin për shkelje të ligjit sa i përket emërimit të gjyqtarëve, pasi sipas saj në mbledhjen e sotme të KLD plotësimi i vakancës së krijuar në gjykatën e Tiranës u bë me persona politikë.
Pas pas kësaj deklaratë ka ardhur edhe reagimi i KLD, duke theksuar se vendimet e marra gjatë ditës së sotme janë marrë në respektim të plotë të Kushtetutës.
“Përkundrejt pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin, gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës e cila i ka atribuuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata. I gjithë kuadri ligjor në fuqi në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetin e duhur për të qenë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit”, thuhet në njoftimin e KLD.
Ndërkaq, Këshilli i Lartë i Drejtësisë akuzon Ministrinë e Drejtësisë se nuk respektoi detyrimet për të propozuar shpalljen e vendeve vakant, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, por dhe në të gjithë gjykatat e vendit, duke shtyrë gjykatat drejt një anormaliteti në funksionimin e tyre.
“Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, do të kishte vepruar prej kohësh në caktimin e ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative.Megjithëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i ka bërë atij thirrje që të ushtrojë kompetencat ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr.49/2012, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Emërimi sa më shpejt i ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata. Këto janë detyrime që Ministri i Drejtësisë duhet të plotësojë jo si një nder apo favor ndaj gjykatave, por si një detyrim ndaj ligjeve të vendit ”, vijon njoftimi i KLD.
Sipas KLD, akuzat nga Ministria e Drejtësisë janë politike.
“Këto tentativa në rastin më të mirë mund të konsiderohen padijeni ndaj ligjit dhe interpretimit të tij dhe në rastin më të keq janë gjetja e një preteksti për të realizuar një skenar ndërhyrje qëllimplotë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor nga pushteti ekzekutiv. Këto tentativa janë revansh i pastër politik ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndaj sistemit të drejtësisë, për të përfituar nënshtrimin e gjyqtarëve ”, thuhet në reagimin e KLD.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë në një mbledhje me dyer të mbyllura emëroi gjytare ish-shefen e kabinetit të dy ministrave të qeverisë Berisha, Eduard Halimi të Drejtësisë dhe Flamur Noka të Ministrisë së Brendshme. Në takim nuk ka qenë ministri i Drejtësisë Nasip Naço, pasi ndodhej në një takim zyrtar në Azerbajxhan, por institucioni që ai drejton ka denoncuar votimin antiligjor të KLD-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Drejtësisë, duke i quajtur veprime arbitrare dhe jashtëligjshme të KLD-së, përpjekjen për të emëruar gjyqtarë në Tiranë, persona që kanë ushtruar funksione politike në PD dhe qeverisjen Berisha.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë mbledhjes së sotme vijoi të shkelë ligjin me marrjen e një vendimi që përmbyll nje proces të nisur në mënyrë të kundërligjshëm.
Ky proces i kundraligjshmën nisi që me shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe përfundoi me votimin e ditës së sotme që përveç se është në kundërshtim me ligjin, mbetet edhe i ndikuar politikisht, përsa kohë që u konfirmuan si kandidatura fituese njerëz që kanë shërbyer në funksione politike.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë tregoi me vendimin e sotëm se është i paaftë dhe inefiçent, në një kohë që prej dy vitesh nuk arrin të përmbylli prosecin e riorganizmit të gjykatave, dhe nuk arrin as të zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 7818 datë 16.11.2012 “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit”
Pasojë e kësaj mungese efiçence është fakti se në Gjykatën e Lushnjës prej më shumë se 200 ditësh, vijon një situatë absurde dhe e paligjshme, ky gjyqtarët nuk paguhen për detyrën që kryejnë.
Rasti në Gjykatën e Lushnjës përbën një situatë të papranueshme dhe është tregues i qartë i mungesës së aftësisë dhe vullnetit të KLD-së, e cila mund të përbëjë një premisë të rrezikshme për veprime korruptive.
Në kushtet e moskryerjes së detyrave funksionale, si dhe në vijimin e shkeljeve të ligjit nga ana e këtij këshilli, Ministria e Drejtësisë inkurajon Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin që të ndërhyjë në mënyrë të mënjëhershme për të ndaluar shkeljet flagrante të ligjit nga ky institucion.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





