29 tetor 2015 – Mungesa e psikologes së gjykatës, ka bërë që 15-vjeçarja Klevisa Kajtazi, të qëndrojë së paku edhe një javë larg prindërve dhe dy motrave të saj. Gjykata e Durrësit ka marrë në shqyrtim kërkesën e 15-vjeçares Klevisa për të prishur urdhrin 6-mujor të mbrojtjes që e mban larg shtëpisë, dy prindërve dhe motrës së madhe. Në orën 13:00 është mbajtur seanca gjyqësore, por gjykatësja Eda Kaja në mungesë të psikologes ka vendosur shtyrjen e gjyqit pas një jave.
Klevisa, e cila po qëndron prej rreth dy muajsh në një qendër shërbimi social për gratë dhe fëmijët e dhunuar në Tiranë me vullnetin e saj të lirë, por e bindur nga motra më e madhe 18-vjeçarja Orialda, kërkon të rikthehet në gjirin familjar. Në mungesë të psikologes, Klevisa është dërguar sërish në Tiranë, ndërsa kaloi pak çaste me nënën e saj Anilën në korridoret e Gjykatës. Kjo ishte e para herë që pas 16 korrikut që Anila fliste me vajzën e saj të vogël, e cila në mënyrë të vendosur kërkoi urdhër-mbrojtjeje nga policia, e të qëndronte larg familjes me pretendimin se dhunohej nga prindërit dhe motra e madhe.
Po kështu nën drejtimin e relatorit Fejzo Hysi ka nisur gjyqi ndaj dy motrave Kajtazi të akuzuara për “vjedhje në bashkëpunim” dhe “shkatërrim i pronës me zjarr”, pasi mbrëmjen e 16 korrikut në shtëpinë e tyre në lagjjen numër 15 në Spitallë, dogjën banesën, morën kursimet e familjes, ndërsa më herët u kishin hedhur ilaç gjumi prindërve dhe motrës së madhe. Dy motrat Kajtazi u arratisën për një muaj në qytetin e Vlorës, dhe pas shumë kërkimesh u kapën nga policia. Vajza e madhe Orialda qëndroi një muaj në burg dhe doli prej andej vetëm me shkakun se ishte në shkollë, ndërsa vajza e vogël Klevisa vijon me seanca gjyqësore për t’u bashkuar me familjen.
/K.H. portali DurresLajm/