Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur shqyrtimin për gjyqtaren Irena Gjoka. Në ILD kërkesën e ka dërguar një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor
Ankesa është bërë nga një anëtari i KLGJ me objekt fillimin e hetimit për shkelje disiplinore ndaj magjistratit Irena Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
ILD do ta shqyrtojë ankesën në përputhje me parashikimet ligjore, konkretisht, pjesa V, kreu II i ligjit nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Prokuroria e Përgjithshme në janar përfundoi verifikimin për gjyqtaren lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Procesi nisi pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek.
Sipas pretendimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjyqtarja ishte dënuar nga autoritetet greke dhe nuk kishte deklaruar këtë në formular për një incident të datës 24 dhjetor 2002 në pikën kufitare të Kakavijës, ku sipas tij ajo është konstatuar me dokumente udhëtimi të falsifikuara.
Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi gjithashtu kanë dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor disa parashtresa lidhur me çështjen e gjyqtares. Malltezi publikoi dokumentet online duke theksuar se janë bërë tre parashtrime në KLGJ. Parashtresat janë dërguar 10 ditët e fundit ndërsa sipas tij KLGJ ende nuk ka kthyer përgjigje.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria miratoi rezultatet dhe i përcolli ato në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në të njëjtën kohë, SPAK po zhvillon hetime për këtë rast në një procedim penal pa emër.
Irena Gjoka ka gjykuar dosje të rëndësishme që përfshijnë politikanë, zyrtarë të lartë dhe personazhe të krimit të organizuar, duke e bërë këtë proces një verifikim me interes të lartë publik.





