Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ka miratuar shtimin e masave të sigurisë fizike për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.
Vendimi është marrë nga struktura e përbërë nga përfaqësues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe institucioneve të tjera të sigurisë, të cilët kanë miratuar rritjen e nivelit të mbrojtjes për gjyqtaren.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura arsyet konkrete apo rrethanat që kanë çuar në këtë vendim, ndërsa nuk ka informacion zyrtar nëse gjyqtarja ka marrë kërcënime direkte apo jo.





