Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dalë me një reagim lidhur deklaratat të cilat i ka cilësuar kritike nga funksionarët publikë dhe mediat ndaj gjyqtarëve. Në reagim KLGj thekson se është rritur një  “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit.

KLGJ shton se kjo trysni përveçse shkel të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikon seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ritheksoi se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. KLGJ ndër të tjera shton se është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor.

Gjithashtu bëri thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor. KLGJ thekon se gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit  dhe ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendjen e opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër pret që edhe media të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, të cilat cenojnë figurën e gjyqtarit.

Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, thuhet ndër të tjera në reagimin e  KLGJ.