Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur rregulla të reja për përdorimin e kamerave në seancat gjyqësore, duke përcaktuar se transmetimi audio-viziv do të lejohet vetëm në raste të caktuara dhe me vendim të gjyqtarit.

Sipas këtyre rregullave, gjyqtari i çështjes vendos nëse një seancë mund të filmohet plotësisht, pjesërisht ose të mos lejohet fare transmetimi, në varësi të zhvillimit të procesit dhe interesit të drejtësisë.

Në rastet kur ka shumë kamera dhe media të pranishme në sallë, do të lejohet vetëm një numër i kufizuar filmimesh, ndërsa pamjet do të shpërndahen më pas për të gjitha mediat e tjera.

Këto ndryshime vijnë pas kërkesave për më shumë transparencë në procese të bujshme gjyqësore, përfshirë edhe atë të ish-presidentit Ilir Meta, i cili ka kërkuar hapje të seancave për transmetim.

Një kërkesë e ngjashme është bërë edhe nga Erion Veliaj, por nuk është miratuar.

Rregullorja synon të balancojë publikimin e informacionit me ruajtjen e rendit dhe sigurisë në gjykata.