KINE – Mediat shtetërore kineze thonë se 95 persona janë shtruar në spital, pasi një klinikë private u bëri atyre injeksione, që dyshohet të kenë qenë të kontaminuara me hepatit C, njofton AP.
Agjencia zyrtare e lajmeve, Xinhua, tha se policia ka arrestuar një kirurg në një klinikë në provincën Liaoning.
Zyrtarët e qytetit Donggang thanë se 120 pacientë, të cilët janë trajtuar në atë klinikë, janë duke u ekzaminuar dhe 95 nga ta i janë nënshtruar trajtimit të mëtejshëm në spital.
Xinhua tha të martën se autoritetet vendore janë informuar se pacientët mund të jenë infektuar dhe çështja është ende duke u hetuar.
Virusi i hepatitit C, shkakton sëmundje të mëlçisë, që mund të variojë nga një formë e butë e sëmundjes që zgjat disa javë deri në një gjendje të rëndë, që mund të çojë te ciroza e mëlçisë ose kanceri i mëlçisë.