23 nëntor 2015 – Policia e Tiranës nisi procedimin penal ndaj këngëtares Ronela Hajati, për klipin ku shfaqej me rroba të zeza së bashku me figurantët, të ngjashme me ato të xhihadistëve të ISIS-it. Imazhet e tyre u publikuan të shtunën në rrjetet sociale, duke shkaktuar debate dhe frikë te shumë persona, deri në momentin e reagimit të policisë rreth kësaj ngjarjeje dhe vetë sqarimit nga ana e Ronelës në rrjete sociale.

Procedimi penal ndaj këngëtares është për prishje të qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit. Pasi është njohur me padinë, këngëtarja ka shkuar vetë në polici dhe ka sqaruar gjithçka. Por gjatë një interviste ajo ka thënë se në fillim është habitur se përse mund të ishte e nevojshme një leje për të kënduar. Sipas saj, përgatitjet për xhirimin e klipit me veshje të tilla, kishin nisur muaj më parë.

/portali DurresLajm/