Itali, 3 maj 2014 – Ai quhet Klisman Toma dhe është pjesë e kontigjentit shqiptar të emigruar prej vitesh në vendin fqinjë, Itali. Klismani është një djalë që ndër vite ka kultivuar ëndrrën dhe pasionin për futbollin dhe puna e tij e palodhur sigurisht që nuk mund të kalojë pa u vënë re nga ata që përditë janë në zbulim të talenteve.

Toma tregon për veten dhe fillimet e tij në futboll: “Quhem Klisman Toma. Kam lindur në Lezhë më 27 janar 1994, kam emigruar me familjen time qysh në fëmijërinë e hershme drejt Italisë, dhe këtu jetoj prej disa vitesh. Qysh fëmijë ishte dëshira e familjarëve të mi që më nxiti. Në moshën 6 vjeçare nisa të stërvitem me ekipin e moshave në Foglino, një ekip i cili ndodhej shumë pranë shtëpisë time. Me Foglino kam luajtur gjer në moshën 16 vjeçare, plot dhjetë vite, të cilat kanë qenë edhe baza për formimin tim të hershëm. Një nga përballjet më të mëdha të asaj kohe ka qenë kur kemi luajtur për kupën e Italisë kundër skuadrave si Empoli apo Siena, e cila në atë vit ka qënë në Serinë A. Unë mund të luaj disa role në mesin e fushës, por zakonisht mbuloj rolin e mesfushorit të krahut edhe sulmuesit të krahut, kur ekipi luan me tre sulmues. Nuk kam një pozicion fiks, pasi shpesh herë më është kërkuar të bëj edhe mesfushorin e qendrës. Skuadra ku unë aktivizohem në këtë sezon është A.C BASTIA një ekip i serisë D italiane, por skuadra që zotëron kartonin tim si futbollist është Peruxha, ekip që këtë vit synon ngjitjen në Serie B.”

Më pas Toma tregon si ka arritur në një ekip si Peruxha si dhe objektivat e tij.

“Në atë periudhë unë luaja me një ekip të quajtur Nocera Umbra dhe aty ishte kontakti me ekipin e Peruxhas, të ciët më ofruan një kontratë 4 – vjeçare dhe prej asaj kohe unë jam një futbollist i Peruxhas por që luaj në formë huazimi në ekipe të ndryshme për të ruajtur vazhdimësine në fushë. Për momentin unë po pres përfundimin e kampionatit aktual të Serisë D dhe më pas do të kthehem te ekipi im Peruxha, ku edhe do të diskutoj për të ardhmen time, pasi Peruxha ka një projekt serioz i cili në rrugëtimin e tij ka synim ngjitjen në Serie B fillimisht dhe mua do të më pëlqente të luaja në këtë kampionat. Nëse do të isha i lirë të zgjidhja, do të zgjidhja Interin, pasi jam tifoz i kësaj skuadre prej shumë vitesh, ndërsa nga ana profesionale nëse e kam një idhull? Ai pa dyshim është Kristiano Ronaldo,është një futbollist i kompletuar për mendimin tim dhe gjithçka e ka arritur prej punës së pa lodhur.”

Më pas Toma tregon se ka patur kontakte edhe me ekipe shqiptare.

“Kampionatin shqiptar e ndjek ,për aq sa koha më lejon ta ndjek, kam një simpati të vecantë për Partizanin dhe di që edhe Korca ka ndërtuar një ekip serioz dhe fitues. Disa kohë më parë, kam pasur kontakte me një klub Superligës por, pas bisedimeve me menaxherin tim dhe Perugian u vendos qe nuk do të transferohesha atje, pasi nga ana e Perugias mu komunikua se dëshira e tyre është që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe jam pjesë e planeve të skuadrës. Por kombëtarja do të ishte një ëndërr për mua, do të jepja zemrën në fushë për kombëtaren time, edhe pse ende nuk ka një ftesë nga ajo sërish në ëndrrat e mia unë e shoh veten me fanelën kuq e zi dhe kjo më jep forcë për të rritur nivelin tim, pasi e di se një ditë puna e palodhur mund të shpërblehet. Kombëtarja do të ishte kurorëzim i një ëndrre profesionale për mua.”

agjencia e lajmeve “Dyrrah”/