Sarandë, 12 korrik 2014 – Tentoi të vriste të dashurën 15 vjeçe pasi dyshonte se ajo po largohej prej tij për shkak të një lidhjeje tjetër. Në këtë version paraprak ka arritur Policia e Sarandës për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në Ksamil, kur 21-vjeçari Klodian Oruçi qëlloi shtatë herë mbi trupin e të miturës, teksa ajo ndodhej ende në krevat. Ndaj të riut rëndon akuza për veprën penale “vrasje për motive xhelozie e mbetur në tentativë”, ndaj 15- vjeçares A.S.

Policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me ngjarjen, por deklarata e vëllait të të plagosurës ka zbardhur edhe sherrin para ngjarjes mes dy të rinjve.

9-vjeçari është ngritur nga ulërimat e Oruçit, i cili e akuzonte të motrën se kishte lidhje tjetër dhe se do ta vriste atë e më pas edhe veten. Në kushte mjaft të rënda psikologjike me pamjen e përgjakshme të së motrës, fëmija është marrë në pyetje dje nga ekspertë të policisë në prani të psikologut, ku edhe ka treguar gjithçka kishte ndodhur në shtëpinë e tyre në momentin që prindërit kishin dalë rreth orës 06:30 për në punë.

“Klodi hyri nga dera se ishte e hapur dhe iu drejtua motrës, që ishte akoma pa u ngritur nga krevati. I thoshte se ti nuk më do mua pasi do një tjetër. Motra i thoshte ik nga shtëpia ime. Unë do të të vras dhe do vras edhe veten pastaj. Ti je vetëm e imja… thoshte Klodi. Unë u tremba nga ato që dëgjova dhe dola të kërkoja ndihmë. Mamaja nuk ishte në shtëpi, por edhe babai ishte në punë. Kur u futa përsëri brenda pashë motrën që ishte e shtrirë në tokë dhe me gjak. Ulërita dhe erdhën komshinjtë. Ata ndihmuan motrën dhe Klodin për në spital”,është shprehur 9-vjeçari.

Në cilësinë e dëshmitarit janë pyetur edhe shoqe të së miturës, të cilat kishin dijeni për lidhjen e saj me të riun, histori që kishte nisur prej dy vitesh. Sipas dëshmive të dhëna, shkak i ngjarjes ka qenë fakti se vajza nuk pranonte të vazhdonte lidhjen, me argumentin se donte të vazhdonte shkollën dhe të vijonte jetën e saj. Ajo e ka refuzuar kërkesën e vazhdueshme të të dashurit për martesë. Mësohet se ajo nuk takohej me të dashurin që prej 15 ditësh dhe komunikonte me të vetëm përmes mesazheve, duke i bërë të ditur se nuk e donte më këtë lidhje. Dëshmitarë të shumë janë thirrur në polici e në organin e akuzës, të cilët kishin dijeni për lidhjen e të rinjve, ndërsa janë thirrur për të dëshmuar edhe persona që janë ndodhur në momentin pasi ka ndodhur ngjarja. Ata ndodhen tashmë në të njëjtin spital në Tiranë, por jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa i riu ruhet nga policë, pasi ndaj tij ka edhe fletë arresti.

/gazeta “Panorama”/