Ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro, në një postim në rrjetet e tij sociale ka ndarë dy foto, të rëndësishme në karrierën e tij.

Në një nga këto foto, ai luan kundër Ronaldinjos, në ndeshjen Shqipëri-Milan. Duro, i cili qëndroi shumë pak në shtëpinë e Big Brother Vip 3, tregon vështirësitë dhe bullizimin që ka përjetuar deri në moshën 18 vjeç.

Ai thotë se ka mundur të mos e humbasë besimin te vetja, e me këtë ka mundur të jetë numri 10 më i mirë në histori. Në një mesazh drejtuar ndjekësve të tij, Duro thotë se gjithmonë do të bullizoheni, por kurrë mos u dorëzoni.

“Me topin luan mirë por është i shkurtër, i dobët, i vogël, s’ka fuqi, s’ka forcë, s’ka rezistencë, nuk përplaset, nuk gjuan me kokë, nuk luan dot, nuk bëhet futbollist. Vetëm këto fjalë dëgjoja çdo ditë nga mosha 8 vjeç deri 18 vjeç, derisa luajta ndeshjen time të parë me Elbasanin. U rrita duke u bullizuar nga të gjithë, por duke punuar me kokën ulur, çdo ditë e pa e humbur besimin tek vetja se një ditë do të isha nr 10 më i mirë në histori. Gjithmonë do bullizoheni e çfarë nuk do flasin për ju, pa ju njohur fare e pa ditur asgjë për ju, por… Mos u dorëzoni kurrë”, shkruan Duro.