Klodiana Lalën e shohim gjithnjë duke raportuar për ngjarjet më të fundit të kronikës së zezë, në formate të ndryshme televizive për të diskutuar për to e për të sjellë detaje të reja. Duket se të gjithë vëmendjen ia ka lënë punës dhe profesionit të gazetarisë që i ka kushtuar një pjesë të mirë të jetës së saj.

Këtë herë, në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Lala lë paksa mënjanë gazetaren dhe tregon më shumë rreth nënës e gruas që nuk shohim në daljet e saj në ekran. Ajo u shpreh gjatë bisedës që punën dhe familjen i ka bërë paralelisht duke e gjetur kohën mes ditës së saj të ngjeshur. Si rrallëherë, Lala ndan detaje për bashkëshortin e saj dhe si e kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre në çift.

Aldo: Ke folur ndonjëherë për burrin ti?

Klodiana Lala: Rrallë sepse ai ka preferuar dhe ka zgjedhur të jetë i shkëputur totalisht sepse nuk ka aspak lidhje me median. Është njeri që kontribuon shumë për familjen, që më vlerëson për atë çfarë unë jam, beson në forcën time dhe në mënyrën se si unë i bëj gjërat. Patjetër që unë e respektoj në të gjithë dimensionin e vet dhe nuk kam dashur asnjëherë ta ndryshoj në atë çfarë ai është.

Aldo: Është natyrë e butë, natyrë e qetë, nevrik?

Klodiana Lala: Jo, jemi të dy tipa të fortë duhet thënë dhe përballemi fort, është kritiku im më i madh që nga mënyra se si unë vishem në ekran, se si e mbaj këmishën, xhaketën, që nga mënyra se si flas kur ndonjëherë bëhem agresive dhe unë e mendoj me të drejtë, ai mendon ndryshe.

Aldo: E teprove një çikë për shembull ë?

Klodiana Lala: Patjetër, ka patur shumë raste që më ka thënë “Klodiana, unë mendoj se këtu e ke tepruar” dhe unë kam filluar me këmbë e duar t’ia shpjegoj dhe thotë “e kuptoj gjithë rebelimin tënd, argumentet e tua por sërish i qëndroj mendimit që ke patur një lloj teprimi në këtë pikë”. A gaboj unë? Patjetër. Kështu që e mirëpres kritikën e tij me shumë qetësi dhe reflektoj. Unë nga natyra reflektoj.