DURRES, 21 qershor 2013 – Ka ndjekur studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës. Specializime dhe studime pasuniversitare pranë Universitetit Katolik” Sacro Cuore” në Romë dhe në Pisa, Itali. Përveç profesionit të kardiologes, e angazhuar edhe në fushën akademike. Deputete e PS në Kuvendin e Shqipërisë, në legjislaturën e vitit 2009 dhe anëtare e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Aktualisht, kandidate për deputete e Partisë Socialiste, në Qarkun e Durrësit.
Kur nuk punon zemra e një pacienti, kardiologu sikur ta shtynte atë në dishezë (si një makinë kur nuk punon), a do të bënte që zemra të punonte përsëri?
Kur nuk punon zemra, nuk punon; as nuk shtyhet, as nuk mund të tërhiqet. Nëqoftëse nuk goditet me defibrilator, brenda kohës së caktuar, është e pamundur ta kthesh në jetë. Por kjo pyetje, më kujton se si ky pushtet e trajton sistemin shëndetësor, duke e shtyrë për poshtë e duke thënë se në këtë mënyrë do të nisë të funksionojë!
Djali im tre vjeç, kur vritet më ofron vendin që i dhemb dhe unë sapo ia puth pushon së qari. Dua të di, nëse një kryeministër do të shkonte në spital dhe të puthte të sëmurët, a do të shëroheshin në çast ata?
Veçse kjo ka mbetur pa bërë në fakt, sepse në spitale nuk ka as serume, as medikamentet më të nevojshme, tani të shpresojmë te puthja! Sot, nëse nuk je i siguruar, duhet të paguash, por kur nuk ke, ç’mund të ndodhë?! Mendoni se sa në vështirësi ndihet një mjek, apo një infermiere përballë të pamundurve, gjëndjes së vetë të sëmurit, por edhe të familjarëve të tyre.
Gjithnjë kam qenë kurioz ta di, tualetet e parlamentit në ç’gjendje janë?
Ka mangësira, por në institucionin më të rëndësishëm të vendit, kemi pasur mangësira shumë herë më të mëdha dhe më e rëndësishmja, nuk mund të ligjërohej fjala e lirë…
Përveç truprojave në parlament, a ka dhe ndihma të tjera të shpejta?
Ajo që më ka rënë në sy në korridoret e parlamentit dhe realisht e kam ndier veten keq, janë numri i madh i truprojave. Nuk e kam kuptuar kurrë kë ruajnë dhe nga kush e ruajnë. Një deputet, ministër apo kryeministër pse e ka të nevojshme të ruhet, brenda parlamentit, nga deputetet që i ka zgjedhur vetë populli që fundja a janë aty për të thënë fjalën e tyre?! Pse kështu duhet të jetë parlamenti i një vendi demokratik?!
Cili është më i rëndësishëm për ju, betimi i Hipokratit apo ai i Kushtetutës?
Deri para 4 vitesh, betimin e Hipokratit e kisha gjënë më të rëndësishme në jetë. Tashmë më janë bërë 2 betime të cilat kanë të njëjtën vlerë për mua, por betimit të Hipokratit nuk mund t’i ndahem dot kurrë, sepse e kam lidhur jetën me atë betim.
Po sikur një ditë, të gjithë doktorët të bëjnë të sëmurin, populli a do tw shkonte t’i shëronte? A janë mirënjohës, pacientët shqiptar, ndaj mjekëve?
Nëqoftëse pacientit i shërben, është mirënjohës gjatë gjithë jetës dhe këtë nuk ma heq asnjë nga mendja, për aq kohë eksperience pune që unë kam.
A ka ndryshuar zemra e gruas shqiptare, nga vitet ‘90 deri më sot?
Jo nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për të ndryshuar, por për një gjë më vjen shumë keq: krenarinë e gruas shqiptare në kohët moderne e vlerësuam shumë vonë. Ndërkohë jam e pezmatuar, ndërsa shoh emrin e saj në qendrën më të madhe spitalore të vendit, e cila tregon një mjerim në tërësinë e saj. Pas 23 Qershorit, do të bëjmë ç’është e mundur që ajo godinë të përcjellë vlerat e vërteta të Nënë Terezës, dhe këto vlera të përcillen ashtu si duhet nga brezi i ri që nesër do të drejtojë mjekësinë shqiptare.
A mund të shpiket një aparat, si një orë dore, që ta shpërndajmë te gratë i cili të tregojë nëpërmjet rrahjes së zemrës kur dhunohen këto gra, dhe të japë sinjal në një qendër që mund të quhej “shërbimi informativ i dhunës ndaj grave”?
Në fakt, në fiziologji rrahjet e zemrës ndryshojnë në situata të ndryshme, dhe takikardia që vlerësohet si shtimi i rrahjeve të zemrës, mund të ndodhë edhe në raste dhune. Por unë mendoj që dhuna ndaj grave në Shqipëri nuk është vetëm fizike, por edhe verbale, ekonomike, shpirtërore dhe seksuale. Mendoj se nuk është shpikur ende një server që të mund t’i përballojë sinjalet e grave të dhunuara në Shqipëri; do merrte flakë që ditën e parë!
Pse thuhet “ma ke thyer zemrën”?
Sepse zemra bashkë me trurin janë dy organet më të rëndësishme te njeriu, megjithëse askush nuk thotë ma ke thyer trurin!
Konformizmi, a e ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës?
Po është i përhapur ky mendim, sepse ata nuk reagojnë ndaj padrejtësive, mbajnë larg çdo gjë që mund ti shqetësojë dhe janë paqe me veten e tyre, e cila në realitetin tonë s’ka vlerë, pasi vjen një ditë dhe e kupton gjithsecili se ka humbur shumë më tepër sesa ata që kanë reaguar. Si mjeke, nuk ia këshilloj askujt të jetë konformist, sidomos grave. Konformizmi është vetëvrasje për gruan shqiptare…
Demokracia në Shqipëri, a është më e ndërlikuar se sa zemra e njeriut?
Kush e ka parë demokracinë në Shqipëri, të ma thotë dhe unë t’ia them se si është zemra e njeriut, dhe të bëjmë krahasime. Ne në Shqipëri, kemi njerëz që e kanë mendjen, shpirtin dhe zemrën të lirë, dhe pas 23 Qershorit do të bëjmë çmos që edhe demokracinë ta përshtasim me këto liri.
Një mjek, ashtu sillet me gruan e tij, po ashtu sillet edhe me pacientët e tij?
Po, nëse e respekton gruan, atë respekt ia transmeton edhe pacientëve.
A të ka ardhur vërtet keq, në disa momente në parlament, për profesionin tënd?
Shpesh herë. Shëndetësia në vendin tonë, nuk është sfida e vetëm një partie, por duhet të shihet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kryesor, dhe t’u besohet njerëzve që e dinë se ç’është në të vërtetë mjekësia. Kur dikush sëmuret, gjëja e fundit që i shkon ndërmend, është se teserën e cilës parti mban në xhep.
Ulërimat, apo deliri nëpër mitingje, a mund të jenë tregues që njerëzit po humbin shëndetin mendor?
Kjo mënyrë e të bërit politikë, u zgjodh që në fillim nga partia në pushtet, dhe militantët e çdo partie tashmë, sillen si ky model, i cili me rotacionin politik që do të ndodhë, do të zhduket. Kjo, pasi është një mënyrë e papranueshme për imazhin e vendit, ekonominë, por edhe për ndotjen akustike që shkaktohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si po ndodh sot në të vërtetë.
Mos realizimi i premtimeve elektorale, a rrit numrin e të sëmurëve të zemrës në 4 vitet e ardhshme? A duhet të mbajnë përgjegjësi politikanët edhe për këtë gjë?
Unë para se të premtoj diçka, matem njëqind herë, por shqiptarët për fat të keq, janë mësuar me premtime të mëdha, dhe ato që ua them unë, nuk i duken asgjë. Është e vërtetë që suksesi i një qeverie matet me realizimin e premtimeve. Unë gjithsesi, do të bëj çmos që në parlamentin e ardhshëm, të bëj gjëra që njerëzit të mos sëmuren, jo si kjo qeveri që na sëmuri të gjithëve në këto 8 vite. Mbase edhe mund të humb vota që po flas kaq sinqerisht, por një nënë, një mjeke dhe një deputete e vetëdijshme veçse kështu mund të flasë.
Burimi: http://gazetadita.al/klodiana-spahiui-konformizmi-eshte-vetevrasje-per-gruan-shqiptare/





