Intervistoi Mila Ballhysa

Kandidon për një mandat të katërt si deputete e Durrësit. Gara elektorale është një eksperiencë e njohur për të, por këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, kandidatja për deputete e PS-së Klodiana Spahiu do të testojë edhe mbështetjen e elektoratit me votat personale. Me një profil qytetarie që vitet në politikë nuk ia kanë zbehur, mjekja Spahiu kërkon në këto zgjedhje votën e elektoratit në lagjet periferike të qytetit, ku së bashku me kryebashkiaken Emiriana Sako dhe ekipin e kandidatëve për deputetë kanë zhvilluar disa takime me pjesëmarrje të gjerë, ku theksi është vënë tek projektet që qeveria Rama ka vënë ose synon të vërë në zbatim në 4 vitet e ardhshme.

Kandidatja Spahiu, gjatë një interviste për “DurrësLajm”, bën të ditur se nesër (e premte) do të nënshkruhet marrëveshja me investitorët arabë për portin turistik të qytetit bregdetar, ku kompania EMAAR synon të investojë 2 miliardë euro.

Sipas saj, paralelisht me nisjen e punës për ndërtimin e portit të ri, do të nisë spostimi i aktiviteteve tregtare drejt Porto Romanos.

“Do mundohemi që pa e bllokuar punën, të dy projektet të ecin paralel dhe të finalizohen në kohën e duhur”,– thotë Spahiu.

E pyetur nga “DurrësLajm” për projektin e portit tregtar, vendin ku do të ndërtohet konkretisht, vlerën e investimit, kush do ta ndërtojë, si do të arrihet marrëveshja me koncesionarët që aktualisht operojnë në port etj, Spahiu u përgjigj se këto janë detaje teknike për të cilat nuk ka ende informacion.

“Informacioni që kam, i marrë nga Autoriteti Portual, është që paralelisht me punën për portin turistik do të nisë puna edhe për portin tregtar. Sesi do të jenë detajet teknike, unë nuk e di. Aty ka plot kontrata koncesionare, që janë firmosur për vite të tëra dhe padyshim prishja e një kontrate ka penalitete të mëdha. Besoj se ka edhe variante të tjera përveç kontratave koncesionare, ku mund të fillojë puna paraprakisht”,- deklaron Spahiu.

Duke u ndalur tek procesi i vaksinimit, i cili prej më shumë se një jave ka nisur në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë të kryhet masivisht, kandidatja Spahiu e vlerëson atë si një arritje të madhe të qeverisë Rama dhe një ndihmesë e rëndësishme për sektorin e turizmit, që një vit më parë ndjeu pasojat e rënda të pandemisë Covid-19. Brenda muajit maj pritet të përmbyllet procesi i vaksinimit për punonjësit e sektorit të hoteleri-turizmit.

“Do të fillojmë që këtë vaksinim ta kryejmë edhe mbi bazën e grupeve të interesit që kanë kërkuar të përfshihen në këtë proces. Brenda majit synojmë të vaksinojmë stafet e hoteleri-turizmit”,- thotë Spahiu.

Nga ana tjetër, kandidatja e PS-së thotë se paralelisht me vaksinimin duhet punuar fort për të vënë në zbatim projektet që pritet ta kthejnë Durrësin në destinacion turistik gjithëvjetor.

Duke u ndalur tek zona elektorale që mbulon në këto zgjedhje, lagjja nr.15, Spahiu pranon problematikat e saj, gjendjen e vështirë ekonomike të shumë familjeve, por ajo thekson se projektet si EcoPark-u apo lagjja e re ku do të ndërtohen 1000 apartamente për të pastrehët e tërmetit do ta kthejnë Spitallën në një zonë të rëndësishme industriale për qytetin bregdetar.

Ndërsa rendit projektet për Durrësin, të përmendura nga kryeministri Rama, të cilat shpesh kundërshtarët politikë i cilësojnë projekte 3D, kandidatja Spahiu thotë se disa prej tyre janë të prekshme, si psh Ecopark-u që po shkon drejt finalizimit, siti në Spitallë ku kanë nisur punimet për infrastrukturën dhe së shpejti nis ndërtimi i pallateve. Për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rinas-Tiranë, Spahiu thotë se nuk është më projekt në letër, por për të janë nënshkruar marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare, ndërsa një rëndësi të veçantë ka edhe projekti i BE-së për rivitalizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti apo edhe nxjerrja në dritë e amfiteatrit të Durrësit.

Një ditë më parë, në takimin e zhvilluar në zonën e plazhit, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se po punohet për një projekt të ri të shëtitores bregdetare në zonën e plazhit. Kandidatja Spahiu sqaron se projekti është ende në fazën fillestare dhe synohet që shëtitorja ekzistuese, e ndërtuar pak vite më parë, të zgjerohet dhe t’i përngjasojë asaj të ndërtuar në Shkëmbin e Kavajës.

Në apelin e saj për votuesit e qarkut Durrës, të cilët do t’i drejtohen kutive të votimit më 25 prill, kandidatja Spahiu thotë se “çdo projekt që është në punë e sipër, ose është në 3D duhet të shfrytëzohet fort për rininë. Të investojmë që ata të shkollohen dhe punojnë në vendin e tyre. Mesazhi im është mesazhi i shpresës për ta kthyer qytetin tonë, qarkun tonë në një nga më të rëndësishmit dhe më të bukurit e të gjithë Shqipërisë”.