Hansi Flik ishte pa dyshim trajneri më i mirë për vitin 2020. 55-vjeçari fitoi gjithçka në vitin e parë me skuadrën e Bajernit. Por kjo nuk mjaftoi për t’u shpallur si trajneri i vitit në FIFA. Një vendim që habiti të gjithë tifozët bavarezë dhe jo vetëm. Një ditë pas ceremonisë, kur tekniku u paraqit në konferencën para ndeshjes së sotme ndaj Leverkusenit, Flik pranoi se ishte i zhgënjyer për faktin që nuk u shpall më i miri.
“Nëse do ta marrim nga ana sportive, Klop dhe stafi i tij e merituan këtë çmim. Ashtu si dhe stafi im bashkë me mua”, tha trajneri gjerman. “Sigurisht që ishte pak zhgënjyese, kur je mes tre më të mirëve kërkon gjithmonë të fitosh. Aq më tepër kur kthen kokën prapa dhe sheh atë që ke arritur me skuadrën. Por jeta vazhdon dhe Bajerni nuk do të ndalet për të arritur edhe në këtë sezon objektivat që ka”.
Sot Bajerni do të përballet me kryesuesit e Leverkusenit në një duel direkt për titullin kampion. “Aspirinat” janë në vendin e parë me 1 pikë më shumë se kampionët e Gjermanisë të cilët do të thirren në detyrë për të matur forcën me një rival direkt. Prova e parë ishte ajo ndaj Borusia Dortmund, një provë që u kalua me sukses nga skuadra e Hansi Flik. Trajneri i ka kërkuar skuadrës të përsërisë ndeshjen në Dormtund duke treguar se Bajerni është favorit kryesor për titull.
“Është një nga ato ndeshje ku motivimi është maksimal. Leverkusen është skuadra më në formë e momentit në Bundesligë. Por ne duam të renditemi të parët dhe më pas të festojmë të qetë Krishtlindjet. Do të ishte një mbyllje perfekte e një viti të vështirë dhe njëkohësisht të mrekullueshëm nga ana sportive”.
I pyetur se çfarë do të veçonte më shumë nga ky vit i ri, trajneri i Bajernit u shpreh se: “Ky vit ishte një sfidë e madhe për këdo. Ndaj dua të falënderojë skuadrën time dhe lojtarët. Të gjithë u treguan të gatshëm për të rrezikuar dhe ia dolën. Sukseset janë një eksperiencë për këdo. Jemi të hapur, kreativ dhe së bashku i shkuam deri në fund një rruge që zgjodhëm që në start. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ulim perdet e një viti sa të bukur dhe emocionues ashtu dhe të vështirë. Tri pikët nesër (sot) do të ishin qershia mbi tortë”, tha trajneri i kampionëve të Europës dhe Gjermanisë para ndeshjes me Leverkusenin.
Bajerni do të tentojë t’i rrëmbejë vendin e parë skuadrës nga Ruhri që në këtë sezon ka bërë një paraqitje të madhe duke u konfirmuar si favorite për titullin në Bundesligë.





