Tiranë, 9 shkurt 2014 – Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi gjatë një deklarate për mediat u është përgjigjur akuzave të opozitës, se qeveria nuk ka projekte të sajat dhe bën vizita në kantieret e ndërtimit të nisura nga demokratët, megjithëse kohë më parë janë mohuar nga Rama. Për deputetin e PS-së, Blendi Klosi,
“edhe pse çdo ditë e më shumë shqiptarët po vuajnë e vajtojnë tragjeditë e rrugëve të prishura, gjithashtu po kuptojnë se sa të rëndësishme janë standardet dhe siguria në ndërtimin e rrugëve po shohin pushtetarët e deri djeshëm të sulmojnë Kryeministrin pse inspekton kantieret e hapura në Shqipëri”
Sipas tyre, tha Klosi, këto janë punët e Saliut dhe qeveria nuk duhet të merret me to.
“Sa mirë do ishte sikur Qeveria dhe Kryeministri ti kishin gjetur të bitisura rrugët e nisura; sikur të mos kishin gjetur malin me borxhe që i mbante bllokuar të gjitha rrugët e lëna rrugëve; sikur të paktën projektet të ishin bërë me standarde europiane dhe paratë e shqiptarëve të mos ishin bërë rrush e kumbulla për shirita rrugësh që mund të quhen vetëm shtigje aksidentesh e ndotjeje kështu siç i lanë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri duhet të merren në radhë të parë me ndreqjen e gabimit të rëndë politik e financiar që është bërë me kantieret e infrastrukturës. Dhe jo vetëm duhet të shkojnë nëpër kantiere, po mundësisht në çdo kantier dhe mundësisht edhe më shpesh. Sepse është një kulturë e tërë pune me rrugët që duhet ndryshuar. Duhet ndryshuar sjellja e kompanive me kontratat, tanimë që qeveria po i respekton ajo e para kontratat”, u shpreh deputeti i PS.
Deputeti i PS theksoi se duhet imponuar respektimi i afateve. Duhet ngritur në këmbë e gjithë sinjalistika rrugore që kaq shumë na mungon. Dhe në fund të fundit duhet forcuar përditë partneriteti me kompanitë që deri dje janë zhvatur babëzisht në dëm të cilësisë.
“Mjafton të shohësh Rrugën e Elbasanit në dalje të Tiranës, kryeqytetit të braktisur nga kryebashkiaku i strehuar tek Shqupi, i cili iu përbetua qytetarëve se s’do merrej me politikë po me qytetin dhe jo vetëm nuk e mbajti premtimin e tij madhor asnjë ditë, po i ra me top bashkisë për tu bërë topi i Saliut në parti” u shpreh ai.
Mazhoranca shtron pyetjen nese mund të pranoje kush të dëgjojë akoma me seriozitet këta njerëz që e lanë atë arterie kryesore të Tiranës gati dy vjet gërmadhe e tani thonë mos e prekni se e kemi bërë ne? Sipas PS, askush s’mund ti marrë seriozisht. Njerëz të dëshpëruar bëjnë vetëm gjëra të dëshpëruara.
/agjencia e lajmeve Dyrrah/





