Duhet të dimë se pse mungojnë portet e peshkimit dhe e gjithë infrastruktura e këtij sektori të rëndësishëm për jetën e një qyteti si Durrësi, por për qytetet e tjera bregdetare si Vlora, Saranda, Shëngjini etj. Natyrisht që ligjet duhen përmirësuar dhe ne jemi për projektligje të standarteve europiane, por qeveria në rradhë të parë duhet të mendonte të mbështeste këtë sektor të rëndësishëm dhe jo të bëjë demagogji projektligjesh. Lënia në harresë e sektorit të peshkimit është thjesht një dështim i qeverisë

Deputeti socialist Blendi Klosi ka akuzuar qeverinë Berisha se e ka harruar duke e zhytur në krizë sektorin e peshkimit dhe qyteti i Durrësit po e ndjen më shumë këtë situatë të rëndë. Sipas Klosit përpara se të niset të flitet për projektligjin e ri të peshkimit, duhet t’u kthehet përgjigje disa pyetjeve që kanë të bëjnë me problematikat e ndryshme të këtij sektori, problematika që duhen zgjidhur duke ofruar zgjidhje konkrete e jo demagogji projektligjesh. Deputeti socialist nënvizon faktin se flota e peshkimit në Durrës është në gjendje të mjerueshme, ndërsa peshkatarët jetojnë në kufinjtë e mbijetesës. Për këtë kolaps që ka mbërthyer prej vitesh këtë sektor Klosi fajëson qeverinë, e cila sipas tij ka koleksionuar dështimin e rradhës. Në të njëjtën kohë deputeti i selisë rozë vë theksin në rëndësinë që ka heqja e moratoriumit të skafeve që në të gjithë këto vite të funksionimit të tij ka dëmtuar mjaft sektorin e turizmit në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Cili është komenti juaj në lidhje me projektligjin e ri për peshkimin?

Përpara se të flasim për projektligjin e ri të peshkimit, duhet të dimë shkakun se pse peshkatarët shkojnë të furnizohen me karburant në Itali, dhe pse të tjerët vijnë dhe peshkojnë në ujërat tona. Duhet të dimë se pse biznesi i peshkimit ndodhet në gjendje të mjerueshme dhe i pambështetur nga shteti. Duhet të dimë se pse peshkarexhat në Durrës apo dhe në porte të tjera nuk kanë ku të riparohen, se pse gjendja e anijeve të peshkimit është e mjerueshme, se pse peshkatarët janë në kufijtë e mbijetesës? Duhet të dimë se pse mungojnë portet e peshkimit dhe e gjithë infrastruktura e këtij sektori të rëndësishëm për jetën e një qyteti si Durrësi, por për qytetet e tjera bregdetare si Vlora, Saranda, Shëngjini etj. Natyrisht që ligjet duhen përmirësuar dhe ne jemi për projektligje të standarteve europiane, por qeveria në rradhë të parë duhet të mendonte të mbështeste këtë sektor të rëndësishëm dhe jo të bëjë demagogji projektligjesh. Lënia në harresë e sektorit të peshkimit është thjesht një dështim i qeverisë.

PS-ja është shprehur pro heqjes së moratoriumit të skafeve. Pse po insistoni në këtë çështje?

Së pari, prej shumë kohësh shqiptarët lëvizin lirshëm e pa viza në vendet e BE-së, ndërsa përsa i takon narkotikëve, moratoriumi nuk ka parandaluar trafikun e tyre duke qenë se në brigjet italiane vazhdojnë të kapen skafet nga Shqipëria ngarkuar me lëndë narkotike. Ky moratorium ka thelluar edhe më shumë pozicionin e disfavorshëm të turizmit shqiptar dhe infrastrukturës turistike detare krahasuar me fqinjët Kroaci, Mal i Zi e Greqi. Në këto kushte, jo vetëm që amendimi total i këtij ligji është i domosdoshëm, por nevojiten politika urgjente nxitëse e inkurajuese për këtë treg shumë të rëndësishëm për të ardhmen turistike dhe ekonomike të Shqipërisë. Në kushtet e pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftime e pasaporta biometrike, liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptare, si dhe identifikimit elektronik e dixhital në pikat e kalimit kufitar, mundësia e lëvizjeve klandestine është thuajse zeruar. Në këto kushte ky ligj e ka humbur funksionin e tij dhe po penalizon shtetasit shqiptarë duke bllokuar turizmin dhe zhvillimin e të gjithë infrastrukturës lidhur me mjetet lundruese si portet, pontilet, barkat, me vendet e tregtimit dhe riparimit të tyre, shkollat nautike etj. Ky ligj po i bën një dëm të madh ekonomisë në të gjithë vijën bregdetare të vendit. Jemi në prag të sezonit turistik dhe jemi i vetmi vend turistik në botë që nuk disponon infrastrukturë turistike lundrimi. Si mund të bësh turizëm cilësor në këto kushte, për më tepër të pretendosh për turizëm elitar.

Cili është vlerësimi juaj në lidhje me përgatitjet e sezonit turistik në Durrës?

Mendoj se Bashkia po bën një punë të mirë në këtë drejtim, por mendoj se shteti nuk po bën detyrën e tij. Bashkia e Durrësit ka treguar prej vitesh se di të menaxhojë sezonin turistik dhe të administrojë në mënyrën më të mirë qytetin.

Si e shpjegoni faktin që Bashkia e Durrësit e paraqiti me shumë vonëse draftin e projekt buxhetit?(Ka pasur dhe reagime të degës së PD-së Durrës në lidhje me këtë situatë)

Unë mendoj se arsyet kanë qenë objektive, të kushtëzuara si me miratimin me vonesë të paketës fiskale ashtu dhe me vendimin e qeverisë së muajit shkurt. Ajo që dua të them është fakti se buxheti i Bashkisë së Durrësit, por edhe i bashkive dhe komunave ku drejtojnë socialistët është rrudhur dukshëm si rezultat i politikave destruktive të qeverisë. Reagimi i degës së PD-së nuk është gjë tjetër veçse reagim shterpë politik dhe i pa argumentuar.

Z. Klosi, a mendoni se këtë sezon bashkia do të zgjidhë problemin e raportit mes plazheve publike dhe private?

Bashkia e Durrësit ka bërë më të mirën përsa i përket raportit mes plazheve publike dhe atyre private, pavarësisht se PD-ja e ka deformuar këtë realitet me akuza që nuk qëndrojnë. Mendoj se dhe këtë sezon do të ketë plazhe publike dhe private. Gjithsesi qytetarët dinë të vlerësojnë dhe këtë ja përkthyen me votë kryebashkiakut Dako dhe Partisë Socialiste.