Programi i ri do të ketë prioritet punësimin në zonat rurale
Deputeti i Durrësit paralajmëron se nuk do të lejojnë zbatimin e planeve ogurzeza të plehrave dhe TEC-ve, që do të shkatërrojnë perspektivën turistike të Durrësit dhe do ta kthejnë Shqipërinë në kazanin e madh të mbetjeve të botës
Z. Klosi çfarë vizioni të ri solli kongresi i PS-së për të ardhmen e vendit në përgjithësi dhe si e shikoni perspektivën e Durrësit në kuadër të programit rozë?
Mendoj se ishte një kongres ku shqiptarëve ju prezantua një program, që mbështet interesat e tyre dhe jo të një grushti të vogël monopolistësh. Ishte një kongres ku vëmendja kryesore u përqëndrua te punësimi i 300 mijë shqiptarëve dhe te politikat e rimëkëmbjes së vendit. Kryefjala e programit tonë është puna dhe veçanërisht politikat për punësim në zonën rurale, ku aktualisht numërohen rreth 1 milion të papunë. Do të ulim taksat dhe çmimin e karburanteve, do të bëjmë që tokat të punohen si në vendet fqinje apo si në Kosovë p.sh. Shikoni fushat tona të shkreta dhe njerëzit e papunë. Do të ulen taksat për 95 % të shqiptarëve. Do të mbështesim dhe do të nxisim biznesin të hapë vende pune. Do të ndëshkojmë monopolet dhe do të krijojmë rrugë të reja zhvillimi për vendin. Në këtë kuadër dhe Durrësi do të përfitojë si një qytet që ka nevojë për investime për turizmin, që është një nga përparësitë tona kryesore dhe jo për plehrat dhe TEC-et, që do t‘i sjellë Berisha këtij qyteti duke shkatërruar të ardhmen e tij. Do të ketë planifikim urban përmes një procesi dixhitalizimi. Shikoni se çfarë ka ndodhur me Durrësin, ku popullsia është shumëfishuar vitet e fundit. Në Durrës ne evidentuam 160 mijë votues për mbi 200 mijë banorë, në një kohë që 50-60 mijë nuk ishin evidentuar. Në vitin e parë të qeverisjes do të bëjmë pikërisht planifikimin urban.
Si ka mundësi që ju flisni për punësimin e 300 mijë shqiptarëve, kur pranoni se jemi në krizë ekonomike. A nuk është pak kontradiktore kjo, pasi biznesi në krizë redukton vendet e punës?
Ne do të ndjekim politika proteksioniste dhe nxitëse për biznesin, do të ulim taksat dhe do të operojmë veçanërisht në zonat rurale ku përqindja e papunësisë është më e madhe. Do të financojnë atje ku nxitet prodhimi bujqësor dhe punësohen njerëz, do të mbështesim biznesin në këtë drejtim.
Në kongres është folur për program të ri. A do të thotë kjo se programi prej 1000 faqesh që ka deklaruar më parë Edi Rama nuk ka ekzistuar?
Jo, nuk do të thotë këtë. Sigurisht që programi ka ekzistuar, por ky është një program i ri që e çon PS-në dhe opozitën drejt qeverisjes. Është një program që i punëson shqiptarët dhe i mbron ata nga aferat dhe monopolet, është një zhvillim i ri dhe avancim i programit të mëparshëm.
Si i vlerësoni zërat ndryshe në kongres dhe reagimin e fortë të një pjese të delegatëve, pas skepticizmit që tregoi Rexhep Mejdani mbi premtimin për 300 mijë vende të reja pune?
Sigurisht që ka zëra ndryshe, pasi ne jemi një parti ku respektohet mendimi i tjetrit, ndryshe nga PD-ja ku dominon Berisha, ku për një drekë që hëngrën ca deputetë ju e dini mirë se çfarë pasojash kanë. PD-ja beson te lideri, te Berisha, ndërsa ne besojmë te Shqipëria. Çdo njeri ka këndvështrime të ndryshme për çështje të caktuara, por në një pikë kemi qenë së bashku në një mendim. Në kongresin e fundit treguam se jemi të gatshëm për pushtet dhe do të garojmë për zgjedhjet e ardhshme të vendosur për të fituar. Dikush priste para kongresit që të kishte përjashtime, sherre, debate. Në fakt nuk ndodhi ashtu. Fjala e Malajt apo Islamit u dëgjua në kongres dhe media ishte prezente. Ky ishte kongresi i bashkimit të atyre që themeluan PS-në, atyre që e nxorrën nga katrahura e vitit 1997, e atyre që kontribojnë sot për forcën tonë politike. Mendoj se ndjesia e bashkimit i përshkoi të gjithë ata që janë të gatshëm të bashkohen me programin e ri në barrikadën kundër pushtetit të mbrapshtë të Berishës dhe ku truproja e parë doli nga kongresi. Ky është një kongres i programit fitues që bashkon të gjithë ata që duan të largojnë qeverisjen e keqe të Berishës. Zgjedhjet lokale treguan se ne fitojmë, fituam kudo përfshi dhe Tiranën ku na i vodhën votat. Përsa i përket skepticizmit të R. Mejdanit, thjesht hartuesit e programit ia sqaruan atij rrugët që do të ndiqen për punësimin e 300 mijë shqiptarëve.
A do të thotë kjo se keni hequr dorë nga djegia e gomave, bllokimi i autostradave apo protestave të formave të tjera. A do të thotë kjo se nga rruga, do të shkoni në Parlament?
Ne do ta rrëzojmë Berishën me votë dhe duke u bazuar fort te programi ynë , por kjo nuk përjashton zhvillimin e protestave kur shikon se si kjo qeveri bëri dhe aktin më të e fundit të turpshëm, duke çelur dritën jeshile për futjen e plehrave të botës në Shqipëri. A e dini se çdo të ndodhte me Durrësin nëse këto projekte do të realizoheshin? Ne nuk do ta lejojmë këtë. Ne nuk do të lejojmë konçesionet, të cilat nuk kanë zbatuar rregullat ligjore. Do të luftojmë fort monopolet. PS do të punojë në dy kahe, program dhe protesta.
Interesant është fakti se ndryshe nga cdo kongres i PS-së, ju i kushtoni rëndësi zgjidhjes së çështjes së ish-pronarëve. A është kjo një utopi elektorale, kur dihet se sa i ndërlikuar është ky problem?
Së pari ne nuk i konsiderojmë ata ish-pronarë, por pronarë të ligjshëm. Duke u nisur nga ky koncept, programi ynë parashikon zgjidhjen e një prej çështjeve më të mprehta të shoqërisë shqiptare. Dixhitalizimi, informatizimi dhe vullneti për ta përfunduar këtë proces me të gjitha rrugët ligjore, do të çojë në zgjidhjen e një prej problemeve më madhore, gjë që se bëri dot e djathta.
Ju folët për bashkim në frontin kundër Berishës. A do të thotë kjo se do t‘i hapni derën LSI-së dhe Ilir Metës?
E riktheksoj se ne kemi tashmë një skuadër të re në luftën politike dhe kongresi ishte vlera e fundit e shtuar para garës elektorale. Në 2009-ën LSI-ja i fitoi votat duke trumbetuar luftën kundër Berishës, në një kohë që në zgjedhjet e 2011-ës votat shkuan për kandidatët socialistë. Në barrikadën tonë do të jenë të gjithë ata, të cilët nuk e duan këtë qeveri dhe këto grupe mafioze, të cilët e derdhën edhe pikën e fundit të gotës duke hapur rrugën për importimin e plehrave në Shqipëri. Ne nuk do të lejojmë që planet ogurzeza të plehrave dhe TEC-ve të shkatërrojnë perspektivën turistike të Durrësit dhe ta kthejnë Shqipërinë në kazanin e madh të plehrave të botës. Ne treguam se dimë të fitojmë në zgjedhjet lokale, ndonëse na vodhën në Tiranë. Ne do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Durrësi është shembulli më kuptimplotë në këtë drejtim. Njerëzit tashmë shikojnë PS-në dhe gjithë opozitën e bashkuar si zgjidhje në lidhje me situatën kritike, në të cilën e ka çuar Shqipërinë drejtimi i mbrapshtë dhe klanor i qeverisjes së Berishës.