Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, në mbledhjen e jashtëzakonshme të radhës të qeverisë, kërkoi që të bëhet certifikimi i hoteleve në Durrës, pasi operatorët turistikë kërkojnë garanci pas situatës katastrofike që ndodhi me tërmetin e 26 nëntorit.
Klosi vuri theksin te certifikimi i hoteleve nga grupi i ekspertëve, dhe kështu të krijohet një linjë e posaçme sidomos për hotelet e Durrësit, në mënyrë që të krijohet besueshmëria dhe siguria tek operatorët e huaj turistikë.
“Destinacioni i Durrësit është destginacioni ynë kryesor në sezonin e ardhshëm dhe duhet të japim garanci që është i padëmtuar. Këtu kemi shumë nevojë që grupi i ekspertëve të ketë një linjë të posaçme për hotelet, pasi të gjithë operatorët turistikë të huaj kërkojnë tani një garanci shtesë mbi forcinë e hoteleve tona, duhet të ketë një certifikim zyrtar. Do doja të kemi një linjë të certifikimit të forcisë së hoteleve, sidomos për hotelet e Durrësit, pasi është etiketuar edhe në media si i rrezikuar si destinacion për sezonin e ardhshëm turistik”, tha Klosi, raporton “DurrësLajm”.
Gjatë 3-4vjeçarit të fundit, Durrësi ka pasur një bum turistësh të huaj, ku pushues nga Evropa Perëndimore dhe ajo Lindore prenotojnë gjatë gjithë verës madje edhe në shtator, në hotelet e bregdetit të Durrësit.





